Raporti i fundit i Komisionit Europian të Udhëtimit (ETC) ka zbuluar se 72 për qind e tyre synojnë të bëjnë një udhëtim midis muajve prill dhe shtator të këtij viti.
Të dhënat e siguruara nga ETC tregojnë gjithashtu se për 69 për qind të turistëve, koha e lirë mbetet arsyeja kryesore për udhëtime, megjithëse rënia prej shtatë për qind gjatë vitit 2022 shënoi një ngadalësim të mundshëm të udhëtimeve.
Në këtë drejtim, Presidenti i Komisionit Europian të Udhëtimit, Luís Araújo, tha se pavarësisht shqetësimeve financiare dhe kostove të larta të udhëtimit, europianët mbeten “të etur” për të udhëtuar.
Ai shtoi gjithashtu se një tjetër gjë inkurajuese është se një numër i konsiderueshëm udhëtarësh zgjedhin udhëtimet verore jashtë pikut për të shmangur mbipopullimin dhe çmimet maksimale.
“Ky trend pozitiv mbështet menaxhimin e qëndrueshëm të destinacionit duke përhapur në mënyrë më të barabartë flukset turistike. Ne këshillojmë destinacionet dhe bizneset që të ndjekin nga afër këto tendenca për të përmbushur nevojat e udhëtarëve,” u shpreh Araujo.
Bazuar në raport, midis prillit dhe majit të këtij viti, gati 30 për qind e udhëtarëve thanë se synojnë të bëjnë një udhëtim, që është një rritje prej gjashtë për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërkohë, 40 për qind e të anketuarve mendojnë të udhëtojnë mes qershorit dhe tetorit. Nga ana tjetër, vetëm 23 për qind planifikojnë të udhëtojnë gjatë gushtit dhe shtatorit, që është një rënie e ndjeshme prej nëntë për qind nga viti 2022.
Për sa i përket grupmoshës, një përqindje prej 74 për qind e europianëve mbi 25 vjeç tregojnë një entuziazëm të lartë për udhëtime. Ndërkohë, grupmosha nga 18 deri në 24 vjeç, mbetet më ngurruesja për të planifikuar një pushim.
Shifrat e mëtejshme të komisionit kanë zbuluar se për 23 për qind të udhëtarëve europianë, rritja e kostove të udhëtimit për shkak të inflacionit ka mbetur një shqetësim i madh, ndërsa për 17 për qind të tyre, financat personale kanë qenë problem.