Etnik Brruti vendosi të përfaqësojë Shqipërinë dhe ai mori ftesën e parë nga trajneri Sylvinho. Në lidhje me këtë situatë, ka reaguar edhe tekniku i Kosovës, Franko Foda i cili tha se e rëndësishme është që një lojtar të luajë me zemër për “dardanët” dhe se duhet respektuar vendimi i tij për të luajtur me kuqezinjtë.
Kosova do të luajë ndaj Islandës dy ndeshje vajtje-ardhje të vlefshme për ‘play-off’ të Ligës së Kombeve. Tekniku gjerman menjëherë u pyet për situatën e Etnik Brrutit i cili nga grupmoshat e Kosovës vendosi ta përfaqësojë Shqipërinë. Ai e ka vlerësuar Brrutin si një lojtar me perspektivë të madhe, për të cilin tha se e kishte ndjekur në seancat e fundit stërvitore.
“E kemi shikuar Etnik Brruti në kampin stërvitor në janar, gjithashtu e kemi përcjellur edhe tek Malisheva. Kam biseduar personalisht me Brrutin dhe i kam dhënë sqarimet dhe konsultat e mia, ai ka qenë një lojtar me perspektivë, kapiten i grupmoshave, por për mua me rëndësi është që një lojtar të luajë me zemër për Kosovën. Ai ka vendosur që të luajë për Shqipërinë dhe është vendimi i tij, duhet ta pranojmë”, ka thënë Foda.
Kujtojmë se ndeshja e parë ndaj Islandës do të luhet më 20 mars në ‘Fadil Vokrri’ teksa ajo e kthimit tri ditë më vonë (23 mars)