Elbasani do të pësojë disa ndryshime në sezonin e ardhshëm në radhët e saj, teksa kërkohen emra të rinj dhe alternativa që verdheblutë shpresojnë t’i shtyjnë drejt kualifikimit në Europë që është objektivi i ri. Në këto ditë kanë filluar largimet e disa futbollistëve që nuk do jenë pjesë e projektit dhe sot ka qenë një tjetër i cili u ka dhënë lamtumirën verdhebluve.
Edon Hasani, mesfushori i cili ka qenë pjesë e grupit që u ngjit në Superiore nga e Para dhe ishte pjesë e tij edhe në edicionin aktual në elitë te Elbasani, i ka dhënë lamtumirën skuadrës ku disa herë ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
Hasani i ka dhënë lamtumirën klubit verdheblu me një postim në rrjetet sociale duke konfirmuar mbylljen e bashkëpunimit.
“Kjo fanellë ka qenë pjesë e përpjekjes time për të dhënë më të mirën. Nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, por çdo ditë kam qenë aty për të luftuar me ndershmëri, përulësi dhe pa bërë zhurmë. Faleminderit nga i pari deri te i fundit që ishin pjesë e kësaj periudhe. Një falënderim i veçantë për tifozët e Elbasanit për mbështetjen”, shkruante mesfushori 33-vjeçar në postimin e tij.
LARGIMI I ESIN HAKAJT
Vllaznia po punon për afrimin e futbollistëve dhe riformatimin e skuadrës për edicionin e ri. Momentalisht, drejtuesit e ekipit janë të përqendruar te futbollistët shkodranë dhe emri i radhës që ka dalë në skenë është ai i Esin Hakajt. Mbrojtësi ka pasur një takim me drejtuesit e klubit, ku i është propozuar edhe një ofertë, që momentalisht nuk ka qenë bindëse për mëngjarashin. Megjithatë, pavarësisht se bisedimet janë vetëm në fillim, si Hakaj, ashtu edhe Vllaznia ia kanë lënë “derën hapur” njëri-tjetrit.