Elbasani dhe Partizani u përballën në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, në një duel të luftuar dhe me shumë intensitet. Në kampin verdheblu kjo sfidë u vlerësua maksimalisht, si një mundësi e mirë për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt fazës tjetër të kompeticionit. Nga ana tjetër, edhe “demat e kuq” synonin fitoren për të shkuar më të qetë në ndeshjen e kthimit.
Takimi u zhvillua me ritëm të lartë dhe raste nga të dyja skuadrat, por momenti vendimtar erdhi në minutat shtesë. Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi pa gola, ishte Skuka ai që në minutën e 90’+3’ gjeti rrugën e rrjetës, duke i dhuruar Partizanit një fitore shumë të rëndësishme 0-1 në transfertë.
Ky sukses minimal i jep avantazh Partizanit për ndeshjen e kthimit, ndërsa Elbasani do të kërkojë përmbysjen për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në gjysmëfinale.