Egnatia e nis e favorizuar finalen e madhe me Vllazninë. Nga viti 2004 deri sot, rrogozhinasit janë përpara në shifra, në çdo drejtim të mundshëm. Në 25 takime të luajtura, kampionët e Shqipërisë kanë fituar gati gjysmën e sfidave, ndërsa tetë të tjera janë mbyllur në barazim. Shkodranët kanë shumë pak fitore në krahasim me rrogozhinasit. Gjithsesi, e kaluara është ndonjëherë vetëm për statistikë, që duhet të thyhet. Më 12 maj, dy skuadrat do të sfidojnë njëra-tjetrën për titullin kampion dhe vetëm pas atij 90-minutëshi, do të shihet nëse statistikat do të kenë pasur vlerë.
EGNATIA – Nga 25 sfida Egnatia-Vllaznia dhe anasjelltas, “bardhejeshilët” kanë fituar 11 herë si brenda dhe jashtë fushe. Kampionët janë dukshëm në avantazh për sa u përket fitoreve. Në vitet e fundit, rrogozhinasit kanë dominuar plotësisht përballjen me shkodranët. Po kështu, tetë ndeshje janë mbyllur në barazim mes dy ekipeve. Shtatë fitore janë në shtëpi dhe katër të tjera në Shkodër.
VLLAZNIA – Janë gjashtë fitore të Vllaznisë nga 25 lojëra të zhvilluara 21 vitet e fundit. Pra, shkodranët nisen në disavantazh statistikash në këtë sfidë për titullin kampion. Sezonin e shkuar në gjysmëfinale u eliminuan nga një barazim, ndërsa këtë vit e kanë mundur 3-1 dhe rrogozhinasit ua kthyen me një 0-2. Ndeshja e fundit mes dy ekipeve është mbyllur 2-2 në “Arena Egnatia”. Për Vllazninë, një fitore është në Rrogozhinë dhe pesë të tjera në “Loro Boriçi”.
Dy ekipet gjithashtu nuk kanë qenë spektakolare në fushën e lojës, pasi në 25 takime, Egnatia ka shënuar 34 gola, ndërsa Vllaznia 22. Pak a shumë 1.4 gola për ndeshje të shënuar nga Egnatia dhe 0.88 gola për takim për shkodranët. Balancat janë për kampionët, por Vllaznia kërkon mrekullinë dhe do të bëjë të pamundurën për të thyer tersin “Egnatia”.
1 comment
[…] LEXO ME SHUME:Vllaznia, ndaj Egnatias me disavantazh statistikash; rrogozhinasit dominojnë edhe në gola […]
Comments are closed