Egnatia tregon forcë në përballjen kundër Kukësit e vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë Superiore. Rrogozhinasit fitojnë me rezultatin 1-4, duke thelluar më tej krizën e Kukësit që nuk fiton prej 10 ndeshjesh radhazi.
Një pjesë e parë totalisht e dominuar nga miqtë. Në muinutën e 17’ Malota do të zhbllokonte takimin. Kapiteni i Egnatias përfiton nga rrëmuja në zonë dhe ia doli të shënonte. Një realizim që tulati vendasit, të cilët e kishin të vështirë të organizoheshin në lojë. Egnatia shfrytëzoi formën e dobët të kundërshtarit dhe në minutën e 27’ Felipe në një moment pasigurie shkakton faull ndaj Zejnullait. Arbitri Kreshnik Bajramaj akordon 11-metërsh dhe pranë topit shfaqet Fernando i cili përballa Tafas ia del të shënojë golin e dytë. Goli i tretë nuk do të vononte për Egnatian.
Në minutën e 34’, Gjata do të realizonte të tretin, pas asistimit të dhënë nga Ndreca. Sikur të mos mjaftonte situata e keqe, porter Tafas braktis fushën për shkak të një problemi fizik, megjithatë nervozizmi i Nicës u shfaq edhe tek dy lojtarët e tjerë që i zëvendësoi në minutën e 37’ si NICOLAI SOLODOVNICOV dhe Salamin. Në pjesën e dytë, Egnatia administroi me qetësi avantazhin e trefishtë, shpesh herë lojtarët mik ngadalësonin manovrat sulmuese të Kukësit.
Megjithatë në minutën e 79’ Rashiti do të shënonte për Kukësin, realizim që rihapi një farë shprese te verilindorët, por që zgjati shumë pak, sepse Egnatia do të shënonte golin e katërt me Montenegron, sulmuesi i cili hyri në fushë në minutën e 71’. Një sukses i rëndësishëm për Egnatian që blindon vendin e parë dhe shkon në kuotën e 43 pikëve, ndërkohë telashet janë të gjitha për Kukësin që mbetet në vendin e parafundit me vetëm 19 pikë të koleksionuara.