Egnatia është skuadra që ka bërë më mirë deri më tani në këtë edicion të Kategorisë Superiore dhe ka krijuar një avantazh prej 5 pikësh ndaj Partizanit, kundërshtarit më të afërt në renditje.
Për një skuadër impresionuese nuk mund të ketë shumë gjëra për tu korigjuar, pavarësisht shitjeve të Paulaskas dhe Iskandarlis, apo largimeve të Lilës dhe Jankut. Drejtuesit tani po mendojnë për merkaton në hyrje dhe emri më i fundit që i është bashkuar ekipit rrogozhinas është Rezart Rama. 23-vjecari i lindur në Athinë dhe me pasaportë shqiptare luan në rolin e mbrojtësit të djathtë.
Në të shkuarën, Rama ka qenë pjesë e moshave të Olympiacosit, duke u transferuar në Angli me Notinghamin e 21-vjecarëve, dhe aventura e fundit ishte në Kanada me skuadrën e Forges, ku qëndroi për dy sezone. Trajneri Edlir Tetova, mund ta përdorë Rezart Ramën edhe në rolin e qendërmbrojtësit apo të mesfushorit shkatërrues. 23-vjecari është aktivizuar edhe me moshat kuqezi, deri tek u-20-tat ku zhvilloi vetëm një ndeshje.