Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar në lidhje me nismën e qeverisë për të çuar dy satelitë në hapësirë.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Këlliçi thekson se kjo aventurë 3-vjeçare do t’u kushtojë shqiptarëve 6 milionë dollarë ose 671 760 000 lekë.
Këlliçi thekson se ‘aventurat e çmenduritë e Ramës nuk mbarojnë me kaq, pasi 4 milionë euro të tjera do t’i shkojnë kopshtit në oborrin e kryeministrisë’.
REAGIMI I KËLLIÇIT:
Pëllumbat e Ramës në orbitën e Tokës
Thuajse një vit më parë Rama deklaroi se në muajin mars do t’i lëshojë dy satelitë në hapësirë!
Shqiptarët prisnin të dëgjonin nga Rama diçka për rritjen e rrogave dhe pensioneve, uljen e inflacionit dhe të çmimeve, po për këto qeveria nuk ka para. 9 vjet që thotë bëni durim…
6 milionë dollarë ose 671 760 000 lekë do t’i kushtojë shqiptarëve kjo aventurë 3-vjeçare. Por aventurat e çmenduritë nuk mbarojnë me kaq. 4 milionë euro të tjera do t’i shkojnë kopshtit në oborrin e kryeministrisë, që Edi Rama të pushojë prej sfilitjes së madhe e të planifikojë tenderin e radhës për çeljen e punimeve në Rrugën e Qumështit!
Një kryeministër mendërisht i shëndetshëm dhe i përgjegjshëm do t’i shpinte këto para tek qytetarët, por Edi Rama nuk jep. Ai vetëm merr, si të gjithë narcistët.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, ky kryeministër i ka bërë 230 milionë euro dëm shqiptarëve. Mirëpo këtu nuk ka drejtësi, se po të kishte do e shihnit me tuta sporti duke u ajrosur me Saimir Tahirin.