“The Last Dance” me Pep Guardiolën, të rikthehet të luajë me Agueron, të ndryshojë La Ligën për Premier Ligën. Siti është ekipi më i pozicionuar mirë për të fituar shërbimet e Lionel Mesit. Të gjitha rrugët sportive, financiare dhe personale e çojnë në Mançester.
Biseda me Pepin- Por çfarë kanë folur Pep Guardiola dhe Lionel Mesi në bisedën telefonike që patën një javë më parë. Mediat spanjolle kanë zbuluar kërkesën që Leo kishte ndaj Pepit. “Dua që të fitoj 2 ‘Topat e Artë’ në vitet e ardhshme dhe jam i sigurt që këtë e arrij vetëm me ju”, i ka thënë Mesi Guardiolës. Trajneri është ndier shumë i vlerësuar për këtë gjë dhe i ka thënë se të punonin sërish bashkë do të ishte një ëndërr e bukur.
Mirëpo, numri një i stolit të “Qytetarëve” nuk i ka dhënë garanci për këtë transferim dhe i ka thënë se kjo i kalon kompetencat e trajnerit. “Ti e di që për transferimin tuaj nuk mjafton vetëm dëshira ime. Është diçka shumë më e madhe për të cilën unë nuk jam kompetent. Shpresoj që të bëhet realitet”, ishin fjalët e Pepit për kapitenin e Barcelonës.
RITAKIMET- Lionel Mesi ishte 24 vjeç kur trajneri katalanas drejtoi për herë të parë ekipin e Barcelonës. Në atë kohë ishte 33 vjeç dhe do të takoheshin thuajse 1 dekadë pas ndarjes. Por trajneri nuk do të ishte i vetmi i njohur për Mesin në dhomën e zhveshjes. Do të ishin gjithashtu miqtë e tij të kombëtares argjentinase, Niko Otamendi dhe Kun Aguero.
POZICIONI- Mesi kaloi vite të arta te Barcelona me Guardiolën si trajner. Askush nuk ka ditur që t’ia marrë më të mirën “Pleshtit” si Pepi. Në një tjetër etapë në Mançester, Guardiola mund të krijojë sërish formulat për të pasur suksesin e viteve të kaluara. Ideja fillestare është që Mesi të luajë nga ana e djathtë e sulmit, me Agueron në qendër dhe Sterling nga e majta. Një skemë që të jep idenë e MSN-së së famshme të Barcelonës. Një tjetër formulë që ka sërish në mendje Guardiola mund të jetë Mesi si sulmues i fshehur, një pozicion ku luajti në fitoren e famshme 2-6 në “Bernabeu”. Në këtë mënyrë ai do të mbështetej nga Sterling dhe Mahrez, apo Ferran Torres.
DE BRYJNE, SUPER – Vetëm duke e menduar, të krijohen emocione. Mesi, De Bryjne dhe De Bryjne Mesi. Bashkë në një skuadër. Mesfushori belg ka treguar më të mirën me Pep Guardiolën në 3 vitet e fundit dhe ka bërë futbollin më të mirë të jetës. Si një organizator furnizon çdo lojtar që i del përpara. Për Mesin do të ishte bukur dhe mund të themi se do të gjente një Iniesta te Siti. De Bryjne mund ta furnizojë me asiste të shumta kampionin argjentinas, i cili gjatë sezoneve të fundit ka pasur shumë vështirësi te Barcelona.
NUK ËSHTË ALBA- As Dembele, as Kutinjo dhe as Grizman. Shoku më i mirë i Lionel Mesit ishte Hordi Alba, sidomos nga koha kur u largua Nejmar. Të gjithë mbrojtësit e dinin se çfarë do të ndodhte kur njëri kishte topin dhe tjetri vraponte. Por pavarësisht kësaj, shumë pak ia dilnin që t’i ndalnin. Argjentinasi do të gjejë te Siti dy mbrojtës shumë të shpejtë, por jo një lojtar si Alba. Në Ligën e Kampioneve luajti Kanselo, edhe pse është i djathtë. Dy të tjerët janë Zinçenko dhe Mendi. Ky i fundit ka pasur shumë dëmtime në sezonin e fundit dhe nuk ia ka dalë që të jetë kurrë një pjesë e rëndësishme e formacionit të “qytetarëve”./ PANORAMASPORT.AL