Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme në zonën e Kombinatit në kryeqytet, ku një 25-vjeçare plagosi me thikë bashkëjetuesin e saj pas një konflikti mes të dyve.
I plagosuri, Erald Tase përfundoi në spital nga plagët e shkaktuara, teksa ditën e sotme, 25-vjeçarja ka rrëfyer të gjithë ngjarjen.
Duke folur për emisionin “Me Zemër të Hapur”, ajo tregoi se bashkëjetuesi i saj kishte qenë me temperaturë dhe në mëngjes kishte kërkuar të ikte në punë, por ajo e kishte këshilluar të mos shkonte. Sipas saj, në këtë moment ai u inatos dhe e gjuajti atë me shuplakë, ndërsa rrëfeu se ajo është dhunuar edhe gjatë shtatzënisë nga bashkëjetuesi.
Ajo tregon se ai i ka thënë të largohet nga banesa, ndërsa e ka kërcënuar se do ta vrasë dhe “do t’i hedhë” djalin nga ballkoni. Ajo u shpreh se ishte bashkëjetuesi i saj, Erald Tase, i cili mori thikën i pari dhe tentoi ta vriste, por ajo arriti t’ia rrëmbejë mjetin prerës, me të cilin edhe e plagosi.
“Ishte sëmurë natën nga puna, po punonte në shi dhe i thashë mos ik në punë se je sëmurë. Atij i erdhi një inat dhe mendova se do më vriste mua dhe fëmijën. Më gjuajti me shpullë dhe kisha frikë për jetën. Më ka gjuajtur edhe kur isha shtatzënë. Nuk kam shkuar në polici dhe nuk i kam treguar familjes.
Ishte ora 8 e mëngjesit, nuk kishim asnjë debat. Ai u ngrit për të ikur në punë, por kishte temperaturë 40. Unë i thashë mos shko për 20 mijë lekë në punë. Kishte problem me veshkën, edhe mushkërinë. Atë e mori shoku në telefon dhe i tha se do e heqin nga puna, atij i iku mendja.
Ngaqë merresha me fëmijën i dukej sikur nuk e doja më. Unë e doja atë njeri, ndaj vendosa të bëja dhe një fëmijë tjetër. Ta mora djalin e ta hodha nga ballkoni më tha, po dil nga shtëpia. Më tha do të vras. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi. U ngrit ai dhe kapi thikën, tentoi të më vriste. Unë i kapa thikën dhe e ndalova. Më kishte thënë dhe herë të tjera që mund të më vriste. I thashë që u pendova që e kisha marrë”, u shpreh ajo.