Nga sheshi Skënderbej kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka prezantuar projektin për ndërtimin e një tuneli nëntokësor për makinat që do të mundësojë kalimin e automjeteve nën shesh. “Jemi mbledhur në këtë Shesh për të prezantuar zgjidhjen tonë për problemin e trafikut në Tiranë: ndërtimin e një tuneli nëntokësor për makinat, që do te mundësojë rrjedhjen pa pengesë të trafikut nën Sheshin Skënderbej, duke lehtësuar kështu shumë trafikun në qendër të Tiranës.
Ne ofrojmë sot një zgjidhje të thjeshtë por shumë të rëndësishme për trafikun në Tiranë, vecanërisht në qendër të saj, sepse ai është kthyer prej vitesh në një makth për qytetarët e Tiranës.
Dhe këtu nuk po flas vetëm për kohën e humbur dhe pamundësinë për të programuar, për secilin nga ne, takimet dhe oraret. Implikimet e një trafiku kaq të rënduar janë shumë më të mëdha për qytetarët e Tiranës”, deklaroi ai.
Këlliçi u shpreh se familjet e Tiranës shpenzojnë dy herë më tepër karburant për makinat e tyre, si pasojë e trafikut që nuk ndalon kurrë. Sipas tij faturat financiare të familjeve që përdorin makinat është 100 euro në muaj më shumë për shkak të trafikut.
“Së pari, kjo është një kosto shumë e lartë për buxhetin e familjeve. Familjet e Tiranës shpenzojnë dy herë më tepër karburant për makinat e tyre, si pasojë e një trafiku që nuk ndalon kurrë. Sipas përllogaritjeve tona, fatura financiare për familjet që përdorin makinat, pikërisht për hir të trafikut, është më e madhe se 100 mijë lekë të vjetra në muaj (ose 100 euro në muaj);
Së dyti, edhe më e rëndësishme, ka të bëjë me shëndetin e banorëve. Ndotja në qendër të Tiranës si pasojë e trafikut është rreth 5 herë më e lartë. Ndërkohë në të gjthë Tiranën është shumëfishuar numri i të sëmurëve të aparatit respirator, vecanërisht është rritur numri i fëmijëve astmatikë pikërsht prej kësaj ndotjeje”, deklaroi Këlliçi.