Burreli, nën drejtimin e trajnerit Ditmar Bicaj, rezultoi një nga surprizat më të bukura të sezonit të fundit në Kategorinë e Parë. Padyshim meritë në këtë sukses të matjanëve ka edhe trajneri i ri lezhjan, Ditmar Bicaj, i cili arriti të krijojë një ansambël për t’u pasur zili dhe në fund arritën që të befasojnë duke “flirtuar” me ngjitjen në Superiore. Ky progres i trajnerit 36-vjeçar ka ngjallur interes nga klube të ndryshme, si brenda dhe jashtë vendit. Me gjasa, Burreli duhet të gjejë trajner të ri për sezonin 2025-2026.
Mësohet se Ditmar Bicaj po bëhet gati për të nisur një aventurë të re, që pakkush mund ta kishte menduar. Sipas këtyre burimeve, si me katapultë, Ditmar Bicaj pritet që të transferohet në kontinentin afrikan. Trajneri lezhjan parashikohet të bëhet pjesë e stafit të kombëtares së futbollit të Ruandas. Palët janë në fazën e bisedimeve dhe nëse palët gjejnë akordin, Bicaj pritet që të kalojë në Ruanda. Kombëtarja ruandeze drejtohet nga algjeriani Adel Amrouche, i cili e ka marrë drejtimin e skuadrës në mars të këtij viti. 57-vjeçari algjerian gjatë karrierës së tij ka drejtuar disa kombëtare afrikane, si Burundi, Kenia, Guinea Ekuatoriale.
Libia, Botsvana, Jemeni dhe Tanzania. Gjithashtu, ka drejtuar klube edhe në Belgjikë dhe Turqi. Nëse realizohet ky kalim për trajnerin Bicaj, padyshim do të ishte një nga ato aventurat e rralla, pasi më parë nuk kemi dëgjuar të ketë pasur teknikë shqiptarë që kanë drejtuar në kontinentin afrikan. Në sezonin e fundit me Burrelin, që ishte edhe i pari si trajner i parë për Ditmar Bicajn, në 33 javë kampionat në krye të matjanëve siguroi 16 fitore, 10 barazime dhe 7 humbje, me një mesatare 1.76 pikë për ndeshje. Ky lajm mund t’i surprizojë në kampin matjan, pasi për sezonin e ri si fillim prisnin të uleshin me trajnerin lezhjan.