Dinamo-Egnatia, starti i kampionatit rezervon një kundërshtar të veçantë për Dinamon, aspak të këndshëm. Egnatia, skuadra kampione në fuqi e Superiores, duket se është rasti klasik i “maces së zezë” për blutë e kryeqytetit. Gjatë tre sezoneve të fundit këto skuadra janë ndeshur 8 herë mes tyre, sepse në 2022-2023-shin kryeqytetasit munguan në elitë.
Dhe asnjëherë në 8 ndeshje Dinamo nuk ka mundur të provojë shijen e fitores. Bilanci është totalisht në anën e rrogozhinasve, të cilët kanë fituar 4 herë, ndërsa në 4 rastet e tjera sfidat janë mbyllur në barazim. Po të shtojmë edhe 2 ndeshjet e fundit që Dinamo dhe Egnatia kanë pasur në Kategorinë e Parë (2020-2021), atëherë shkon në 10 numri i përballjeve pa fitore për blutë, sepse 1 herë fituan rrogozhinasit dhe 1 herë nuk pati fitues.
Vetëm 5 gola ka arritur të shënojë Dinamo në portën e Egnatias në këto 8 ndeshje, që janë zhvilluar në stadiume të ndryshme, si në Rrogozhinë, Elbasan dhe në Durrës. Në asnjë rast kryeqytetasit nuk kanë mundur të shënojnë më shumë se 1 gol në portën e rrogozhinasve.
Dinamos i duhet ta nisë sezonin duke thyer një tabu dhe nëse ia del, mund të jetë një ogur i mirë për objektivat e saj. Një fitore e mundshme ndaj kampionëve në fuqi të Superiores do të kishte vlera të mëdha të kryeqytetasit, veçanërisht në aspektin moral. Dy skuadrat kanë ndryshuar në krahasim me sezonin e kaluar, por pretendimet nuk ndryshojnë. Egnatia nis mbrojtjen e kurorës, kurse blutë shpresojnë për startin ideal, në mënyrë që të lënë pas krahëve tranzicionin e stërzgjatur dhe të rikthehen protagonistë. Fusha e “Elbasan Arenës” do të tregojë më shumë për gjendjen dhe forcën e këtyre dy skuadrave.