Dinamo, Di Biagio nuk preket! Memushaj dhe Sakone largohen nga stafi, zbulohet arsyeja

Java stërvitore ka nisur me ndryshime në stafin e Dinamos. Ledian Memushaj dhe Corrado Sakone nuk janë më pjesë e stafit teknik të bluve.

Para se skuadra të zhvillonte dje seancën e parë stërvitore pas humbjes me Egnatian, pati një takim të shkurtër të lojtarëve, stafit dhe drejtuesve kryesorë të Dinamos. Presidenti Ardian Bardhi, drejtori sportiv Haris Fakiç dhe trajneri Di Biagio kërkuan nga skuadra që të ndryshohet sa më parë situata e rezultateve negative. Po dje janë bërë të ditura edhe ndryshimet në stafin teknik. Memushaj është larguar nga Dinamo për arsye personale, vlonjati kërkoi të largohej dhe drejtuesit pranuan. Ai iu bashkua projektit të bluve në muajin gusht, bashkë me trajnerin Di Biagio.

Largimi i italianit Sakone risjell në kujtesë një situatë të ngjashme që bluve u ndodhi dy vjet më parë. Në atë kohë, kur Dinamo drejtohej nga Bledi Shkëmbi, përgatitësi atletik ishte po një italian, Daniele Nervi, i cili u largua bashkë me bashkëkombësin tjetër, Francesko Vitobelo, që ishte ndihmëstrajner. Ajo lëvizje, largimi i ndihmësve dhe qëndrimi i trajnerit të parë, në atë kohë u shoqërua me kritika nga opinioni sportiv.

Nuk është ende e qartë, nëse trajneri Di Biagio kishte pakënaqësi ndaj Sakones, apo ka ndonjë arsye tjetër që lidhet me largimin e tij. E sigurt është se klubi po kërkon një tjetër përgatitës atletik, ndërsa vendi i Memushajt për momentin do të mbetet vakant. Di Biagio ka si ndihmës edhe italianin Fabrizio Pikareta.

Related posts

E BUJSHME! Mesfushori mund të largohet në qershor nga Egnatia, ngecin bisedimet për rinovim (FOTO)

Partizani, dy lojtarë në garë me kohën për sfidën ndaj Bylisit (EMRAT)

Ndodh me klubin e Superiores, lojtarët nuk dalin në stërvitje, priten pezullime