Është rikthyer në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë Superiore, dhe vera ka qenë mjaft e ngarkuar për Dinamon. Në fakt, blutë e kryeqytetit janë kthyer në një kantier ndërtimi, por gjithçka ka ndodhur larg syve të medias dhe publikut. Është përfolur për një projekt madhor, që nis nga modifikimi i emrit në “Dinamo City”, me idenë e një binjakëzimi me Manchester City-n, tek shtimi i aksionerëve, midis të cilëve përflitet të jetë edhe Igli Tare, e deri tek zhvendosja e mundshme e bazës së klubit në Durrës, atje ku do të ndërtohet një kompleks i madh stërvitor.
Presidenti i klubit Ardian Bardhi ka bërë thirrje për durim, teksa sipas tij, gjithçka do të zyrtarizohet më 10 gusht. “Është një pritje që do t’ia vlejë. Ky është projekti më i madh që është ndërtuar ndonjëherë për Dinamon, një projekt që do shndërrojë këtë klub në një faktor madhor të futbollit shqiptar, një projekt që do ta kthejë klubin aty ku e meriton të jetë.”
Bardhi ka konfirmuar largimin e Dritan Mehmetit, ndërsa ka konfirmuar edhe Luigi Di Biagio-n si trajner të ri të Dinamos. Ish-futbollisti i Interit dhe përfaqësueses italiane, ka qenë i pranishëm në krah të Tares në një miqësore që blutë zhvilluan para pak javësh në Korçë dhe ai do ta drejtojë skuadrën kryeqytetase, e cila mbërrin të martën e 1 gushtit në Itali për të zhvilluar atje fazën përgatitore.