Merkatoja e Dinamos ndryshoi kurs totalisht duke afruar në skuadër elementë cilësorë. Trajneri Luigi di Biagio ka parë nga afër gjendjen e të gjithë lojtarëve në Itali dhe tani në kryeqytet, kështu që ka gati listën me ata që nuk e kanë bindur. Klubi ende nuk ka bërë asnjë njoftim sa u takon largimeve, por gazeta mëson se në këtë listë bëjnë pjesë emra si Devid Kapllani, Ali Samake, Erisildo Smaçi, madje edhe sllovaku David Ivan, të cilin kishte dyshime që pas mbylljes së sezonit të fundit, për shkak të disa shqetësimeve fizike.
Nga mbrojtësit thuhet se do të largohet Ali Samake, pasi edhe në repart pritet një tjetër lojtar me kualitet, që mund të vijë së shpejti. Edhe italiani Luca Krosta ka dalë jashtë planeve të stafit teknik, pas afrimit të Bekim Rexhepit dhe Edmir Salit. Për sulmin i ka takuar Kapllanit të lirojë vendin.
Durrsaku erdhi këtë verë te Dinamo si një përforcim, por nuk u zyrtarizua asnjëherë nga blutë. Këta janë pesë emrat që pritet të lënë Dinamon, përveç atyre, të cilët ishin larguar më parë, si Bakaj e Lilaj që u tërhoqën nga futbolli e më pas me radhë Imami, Taulant Marku, Zhivanaj, Fetaj, Dikson, Daja dhe Fejzulla.