Britania e madhe po synohet të arrihet me të gjitha mënyrat nga shqiptarët. Dhjetëra të rinj e jo vetëm, presin në radhë të gjatë për një vizë turistike, që ashtu si pohojnë është mënyrë më e mirë për të shkuar atje për punë. Midis korrikut 2021 dhe qershorit 2022, Britania e Madhe mori 30.703 aplikime për viza nga shtetasit shqiptarë dhe 20.289 prej tyre arritën ta mernin.
Nga fillimi i vitit deri në qershor 2022 janë paraqitur 7267 kërkesa për azil nga emigrantët shqiptarë, dyfishi i një viti më parë. Në përgjithësi, 53% e kërkesave nga shqiptarët pranohen. Disa emigrantë shqiptarë bëjnë kërkesa për azil me pretendimin se janë trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar. Por jo të gjithë kërkojnë azil, pasi ka nga ata emigrantë që zgjedhin të “zhduken” dhe të punojnë ilegalisht.