David Domgjoni humbi penalltinë, që mund t’i jepte Partizanit një barazim në derbin përballë Dinamos. Ishte minuta e 95-të, kur mbrojtësi u ndal nga traversa. Për këtë, Domgjoni ka reaguar në rrjetet sociale. Me mesazhin e tij i kërkon falje familjes së kuqe, por shton se ka besim që do të arrihet qëllimi në fund.
DEKLARATA E DAVID DOMGJONIT
“I zhgënjyer nga rezultati i ndeshjes së sotme dhe akoma më i zhgënjyer nga humbja e penalltisë, dua t’i kërkoj falje gjithë familjes së Partizanit, por kam besim se së bashku do të t’ia arrijmë qëllimit në fund… do të punojmë më shumë dhe të mësojmë nga gabimet tona dhe të rikthehemi më të fortë në ndeshjet e ardhshme”, shkruan Domgjoni.
Partizani pati mundësinë të shpëtonte një pikë në minutën e 95′, kur u akordua një penallti në favor të tij pas një faulli ndaj Bintsouka. Megjithatë, Domgjoni nuk arriti të shndërronte në gol këtë rast të artë, duke i lënë të kuqtë të dalin duarbosh nga sfida. Me këtë rezultat, Dinamo barazon në pikë me Egnatian në krye të tabelës, duke e çuar kuotën në 54 pikë. Nga ana tjetër, Partizani rrezikon seriozisht pozitën e katërt, pasi me 44 pikë ka vetëm një diferencë prej katër pikësh nga Elbasani, i cili po ndjek nga pas me synimin për t’u futur në zonën e Final 4. Humbja e këtij derbi e vështirëson më tej situatën për skuadrën e Arbër Abilaliajn, e cila do të duhet të luftojë fort në javët e mbetura për të ruajtur pozitat e saj në renditje dhe për të siguruar një vend në fazën finale të kampionatit.
1 comment
[…] LEXO ME SHUME:Penalltia e parë pas 31 javësh, Domgjoni e humb, reagimi i mbrojtësit të Partizanit pas ndeshjes… […]
Comments are closed