Cristian Shpendi, 21 vjeç, sulmues i Cesena-s, që luan në Serie B të Italisë, është në listën e përforcimeve të Benficës për këtë merkato. Talenti i ri italo-shqiptar, i cili po tërheq gjithashtu interesin e disa prej klubeve kryesore italiane, do të duhet të presë që klubi portugez të lirojë një vend në sulm. Kjo mund të ndodhë nëse Arthur Cabral, i kërkuar nga Botafogo, largohet nga ekipi.
Siç raporton gazeta portugeze “A BOLA“, Benfica synon të rinovojë repartin e sulmit. Cristian Shpendi përmbush profilin që përshtatet në klubin portugez — është i ri, me potencial të madh dhe hapësirë të gjerë për progres, dhe është gati të japë një kontribut të menjëhershëm. Ai është golashënuesi i dytë më i mirë në Serie B, me 10 gola në 18 ndeshje, dhe ka shënuar dy gola të tjerë në tre ndeshje të Kupës së Italisë. Sipas mediave italiane, Juventusi, Napoli dhe Torino e ndjekin me interes të madh. Fiorentina, klubi nga i cili Benfica bleu Arthur Cabral, ka bërë një hap më konkret për transferimin e tij, por negociatat u ndalën pasi Cesena kërkoi 15 milionë euro.
Shpendi, shok skuadre i Adrian Bajramit te Kombëtarja U-21 e Shqipërisë, ka lindur në Ankona të Italisë dhe është formuar në akademitë e klubeve të vegjël si Real Metauro, Delfino Fano dhe San Marino Academy, përpara se të bashkohej me Cesena-n. Ai debutoi në moshën 18-vjeçare në Serie C, dhe sezonin e kaluar ishte protagonist i rikthimit të Cesena-s në Serie B, duke shënuar 21 gola. Këtë sezon, performanca e tij ka përforcuar interesin e klubeve të mëdha italiane dhe të huaja.