Çerekfinalet e para të Champions League kanë njohur tashmë edhe skuadrat favorite për të shkuar në katër më të mirët. Manchester City dërrmon Bayern Mynih me një 3-0 në Etihad, që e çon Guardiolën me një këmbë në gjysëmfinale. Në ndeshjen tjetër, Inter godet në Lisbonë, duke mundur 0-2 Benfica. Golat e Barella e Lukaku me penallti afrojnë zikaltrit me katërshen pas 13 vjetësh mungesë.
MANCHESTER CITY 3-0 BAYERN MUNCHEN
Rikthimi i Thomas Tuchel në Champions League, në pankinën e Bayern Munchen, ishte shumë i hidhur. Bavarezët u mposhtën nga Manchester City, i cili dominoi dhe fitoi 3-0. Kampionët e Gjermanisë kanë gjithashtu vetëdijen se, pa pritjet e Sommer, deficiti mund të ishte më i gjerë. Golat e Rodri (27′), Bernardo Silva (70′) dhe Haaland (76′) bënë të buzëqeshë Guardiolën. Tekniku spanjoll është tashmë seriozisht një hap nga gjysmëfinalja, pas ndeshjes së parë në Etihad.
BENFICA 0-2 INTER
Në ndeshjen e parë çerekfinale të Champions, Inter mposhti Benfica 2-0 në Estadio Da Luz. Në Lisbonë, zikaltrit e teknikut Inzaghi i lejuan vetëm një shans në pjesën e parë Rafa Silva, përpara se të kontrollonin ndeshjen. Italianët nuk lanë asnjë hapësirë, duke mbytur driblimet e Benfica, ndërsa goditën në pjesën e dytë. Në minutën e 51 Barella zhbllokoi ndeshjen me një goditje me kokë në shtyllën e dytë. Më pas, në minutën e 80′ ishte Lukaku me penallti, për një prekje të topit me dorë nga ish-lojtari i Inter Joao Mario. Belgu vulosi kështu suksesin me një avantazh komod për të mërkurën e 19 prillit në San Siro.
Inter fiton 2-0 ndaj Benfica dhe “sheh” gjysmëfinalet e Champions League. Zikaltrit nuk kishin fituar që nga 5 marsi, edhe në atë rast 2-0 kundër Lecce. Por suksesi i sotëm është shumë më i rëndë, sepse i lejon të hipotekojnë raundin tjetër. Përcaktues ishin golat e Barella dhe Lukaku me penallti. Pjesa e parë ishte e balancuar me një goditje në portë për portugezët dhe zero për Inter. E dyta filloi me të njëjtat formacione, por edhe me golin e avantazhit të miqve. Bastoni u shkëput dhe krosoi për futjen perfekte të Barella që shënoi me kokë 1-0. Benfica u bë më ofensive me Neres, por mundësia më e zhurmshme ishte ende për Inter. Portugezët ishin të frikësuar dhe Joao Mario preku me dorë krosimin e Dumfries në zonë. Me VAR erdhi penalltia dhe Lukaku nuk e gaboi, duke bërë rezultatin 2-0, 8 minuta nga fundi.