Deputeti socialist Erion Braçe ka paralajmëruar sërish largimin nga politika. Braçe ka dhënë një tjetër sinjal ditën e djeshme pas mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, i cili ka dalë i revoltuar duke kundërshtuar mënyrën e ndarjes së fondeve. Braçe shprehet se nuk ja vlen më të jesh i pari, kur bujqit nuk po mbështeten nga kjo qeveri, por në fakt janë gjithmonë të fundit kur vjen puna tek ndarja e buxhetit.“Bujqit janë të fundit kur ndahen paratë e buxhetit, fakti është ky! Kur ata janë të fundit, unë skam pse te jem i pari. Boll me! As që ja vlen më! VO: popullariteti? Me pëlqen me mire pa popullaritet! Por një gjë po ua them ama: Tërshëra nuk është kurrë grurë, pavarësisht ngjyrës!”, shkruan deputeti. Sipas tij, mbështetja e dhënë për bujqësinë është e pamjaftueshme. Braçe thekson se nafta duhet të sigurohet falas për të gjithë bujqit dhe mbështetje për tufën bazë të matrikullimit.“Dola nga Komisioni i Ekonomisë, sapo! Paratë u ndanë, 30 miliardë u shpërndanë, bujqësisë ju dhanë vetëm 200 milion lekë! Vetëm kaq! Prej dy muajsh kam kërkuar me ngulm 1 miliardë lekë për dy zëra të skemës mbështetëse: Naftën falas për bujqit, tufën bazë të matrikulluar. Mendova të paguanim plotësisht 1/3 e familjeve bujqësore që nuk kanë marrë naftën ende. 2000 i kam veç unë në Divjakë e Lushnjë. Mendova të paguanim plotësisht 3400 familje blegtorale qe edhe pse kanë plotësuar kushtet, nuk kanë marrë ende paratë! Pra, kërkoj prej muaj vetëm 1/30 e parave që u shpërndanë sot”, shkruan deputeti i Partisë Socialiste Braçe.
Braçe: Ministria e Bujqësisë justifikohet
Ish-zv.kryeministri Erion Braçe thotë se Ministria e Bujqësisë justifikohet duke thënë se kërkesat e tij janë populizëm dhe propozime për të rritur popullaritetin e një personi të caktuar “Jooooooooooooooooooo! Për naftën nuk do ketë me para-pas këtij akti; për tufën baze te matrikulluar do ketë vetëm 200 milion për vetëm 1000 familje blegtorale nga 3400 që kanë mbetur pa paguar. Kaq! Po mësoj që ministria e bujqësisë ka vendosur kështu! Argumenti: janë populizëm e propozime për të rritur popullaritetin e një njeriu, e dëgjova me zë e sy më sy sot”, shkruan ai. Largimin nga politika, Braçe e ka paralajmëruar edhe herë tjetër, duke thënë se do lërë mandatin e deputetit, pasi nuk po e lënë të kryejë detyrën e tij duke hedhur akuza në drejtim të Kuvendit se është o kapur. Braçe ka kritikuar vazhdimisht qeverinë mbi politikat e marra për bujqësinë dhe blegtorinë, e madje shpesh është shprehur se propozimet e tij bien në vesh të shurdhër pasi nuk ka pasur asnjë reagim nga qeveria. Braçe shihet edhe si zëri opozitar brenda qeverisë, ndërsa këto qëndrime janë parë si luftë brenda PS. Një koment mbi këtë situatë e ka pasur edhe kryeministri Edi Rama duke thënë se “ish. zv-kryeministri është i lirë të thotë ç’të dojë”. 5 miliardë lekë shtesë për të ardhurat e buxhetit të vitit 2022 u miratuan dje në Komisionin e Ekonomisë, por Braçe kundërshtoi ashpër mënyrën e shpërndarjes së fondeve. Në një video pas përfundimit të mbledhjes, Braçe thotë se për bujqësinë shkuan vetëm 200 milionë lekë, ndërsa ai prej kohësh ka kërkuar nga qeveria dhe ministria e Bujqësisë që të japin 1 miliardë lekë për këtë sektor.