Zoran Zekic është përsëri i papunë! Trajneri i cili nisi sezonin me Partizanin dhe pastaj la punën në mes me të kuqtë për të ndihmuar Osijekun, ekipin e tij të zemrës në Kroaci, është shkarkuar sot nga klubi kroat pas shtatë muajsh në krye të stolit. Lajmi i pabesueshëm është përhapur sot nga mediat kroate, të cilat kanë mësuar vendimin që u mor nga drejtuesit vetëm një ditë pasi Osijeku fitoi 2-0 ndaj Rijekës që luftonte për titullin deri pak javë më parë dhe praktikisht i siguroi klubit pjesëmarrjen në Conference League në edicionin e ardhshëm.
Por sot drejtori sportiv Zoze Boto, i ka komunikuar trajnerit shkarkimin, duke e larguar teknikun i cili u largua nga Shqipëria me qëllimin që të ringrinte klubin pas një fillimi të dobët të kampionatit. Mediat kroate aludojnë se vendimi ka ardhur pasi Zekic nuk cilësohej në lartësinë e duhur për të kthyer Osijekun mes pretendenteve për titull.
Trajneri do të drejtojë ekipin edhe në ndeshjen e fundit ndaj Varazdin dhe pastaj do të jetë i lirë të vazhdojë karrierën e tij në një klub tjetër.