Bledi Shkëmbi foli pas triumfit të vuajtur të arritur në finalen e “Play Out”-it ndaj Pogradecit, me rezultatin 1-0. Në prononcimin e dhënë në një lidhje të drejpërdrejtë për emisionin “Rubrika Sportive”, tekniku korçar i skuadrës kryeqytetase deklaroi:
“Kur një skuadër fiton, fiton për meritën e saj. Ashtu si kur humb, humb me meritë. Unë nuk jam nga ata që justifikohem. Mendoja që do e zgjidhnim më shpejtë fitimin e ndeshjes. E nisëm mirë ndeshjen, patëm mundësi, po të kishim fat të shënonim do e kishim më thjeshtë.
Në 15 minutat e fundit të pjesës së parë, Pogradeci na vuri në vështirësi. Në pjesën e dytë bëmë një lojë më të mirë, por nuk mendoj që bëmë ndeshjen më të mirë të mundshme. Kemi bërë ndeshje shumë më të mira, por edhe kjo ka disa arsye. Nuk ishte ndeshje e bukur, në shumë momente u bë ndeshje e shëmtuar. Rritmi i ndeshjes nuk arriti as mesataren, jo për fajin tonë, por mënyrën sesi kundërshtari kërkoi të luante. Shumë ndalesa, shtrirje në tokë.
Momentet para portës, nxitimi, presioni që kishin. Shumë lojtarë nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. Këto janë arsyet kryesore. Në fund më i rëndësishëm është rezultati, që na kënaqi në këtë moment të vështirë që po kalonim. Ka qenë disa javë që më shumë jemi munduar të flasim nga ana psikologjike. Kemi pasur edhe probleme fizike me disa lojtarë të rëndësishme. Kjo javë ka qenë pak specifike. Për mua ka qenë hera e parë, që në qoftë se do të gabonim, do të ishte një problem i madh, e para për klubin, por për të gjithë si staf, për tifozët, për lojtarët.
Situata ime është që unë kam edhe 1 vit kontratë me Tiranën, na duhen disa ditë pushim, për të ulur dhe për të folur për të ardhmen. Jam i qartë që duhet të bënim më mirë, nuk ia vlen të gjej justifikime. Kemi bërë maksimumin e mundshëm për të shpëtuar këtë sezon. Është pjesë e klubit dhe presidentit si do e mendojë të ardhmen time dhe të klubit. Kjo skuadër si me Shkëmbin si pa Shkëmbin, duhet të forcohet. Kjo është pjesa kryesore që duhet të bëjë klubi. Klubi dhe presidenti do të bëjë atë që mendojnë se është më mirë për skuadrën”, u shpreh Bledi Shkëmbi.