Presidenti i Besës Nexhat Bizhdili, ka kërkuar një fitore të detyrueshme nga futbollistët e tij në sfidën kundër Lushnjës dhe u ka dhënë një shans të fundit për të korrigjuar nisjen e dobët të sezonit. Nuk kishte ndodhur asnjëherë në dekadën e fundit që verdhezinjtë të nisnin kaq keq një kampionat, me vetëm 2 pikë pas dy ndeshjesh në shtëpi.
Këto rezultate kanë sjellë zhgënjim dhe irritim jo vetëm te tifozët kavajas, por edhe te presidenti Nexhat Bizhdili dhe trajneri Shpëtim Duro. Ky i fundit, veçanërisht i zhgënjyer nga humbja në Burrel, nuk doli në konferencën e shtypit pas ndeshjes, duke ia lënë këtë detyrë ndihmësit të tij, Fidaim Haxhiut. Kur pritej që presidenti Bizhdili të ndëshkonte lojtarët bazuar në kontratën që kanë me klubin, kjo nuk ndodhi. Pas përfundimit të seancës stërvitore të së hënës, në aneksin e stërvitjes u shfaq presidenti, duke kërkuar që të gjithë stafi dhe lojtarët të drejtoheshin drejt sallës së mbledhjeve të klubit.
“Së pari dua të dëgjoj nga ju nëse dikush ka ankesa lidhur me trajtimin nga klubi, qoftë për pagesa apo akomodim. E ndërsa lojtarët janë shprehur jo gjithmonë falënderues për kushtet, unë vazhdoj detyrat e mia, që si president i kam kryer më së miri. Krahas trajtimit financiar, kam siguruar kushte akomodimi dhe ushqimi në qendër të qytetit. Po ju si më keni shpërblyer? Më vjen keq të dal para bashkëqytetarëve pas këtyre ndeshjeve që keni zhvilluar. Secili prej jush ka detyrime, dhe rregullorja e klubit parashikon masa lidhur me ecurinë e rezultateve. Katër javë janë shumë, veçanërisht me vetëm 1 pikë në dy ndeshje shtëpiake.Kërkoj vetëm fitore ndaj Lushnjës. Në këtë mënyrë nuk do të ndëshkoheni nga rregullorja e klubit. E keni vetë në dorë. Detyrimet e mia i kam kryer, madje edhe duke falur. Tani fatin tuaj e keni ju. Pres reagimin tuaj në fushë.”