Archange Bintsouka mund të quhet fare mirë zbulimi i madh i Partizanit, madje dhe fare i papritur, duke qenë se në hierarkitë e të kuqve kongolezi 20 vjeçar ishte pas të gjithëve. E megjithatë fatet në futboll ndryshojnë shpesh e tani djaloshi që shpenzoi një vit e gjysëm mes të rinjve e huazimit te Drenica e gjen veten titullar të kampionëve në fuqi. Christian Mba u dëmtua dhe humbi ndeshjet më të rëndësishme në aventurën europiane dhe startin e sezonit. Edhe Mensah u përball me dëmtimet, ndërsa Da Silva doli jashtë disponibilitetit për cështje disiplinore.
Bintsouka e gjeti veten në këtë pikë me një autostradë përpara dhe djaloshi mund të thuhet se po e shfrytëzon në maksimum. 3 gola në 7 ndeshje në të gjitha kompeticionet, e të gjithë gola në ndeshje me peshë si kundër Astana në playofin e kthimit, ndaj Egnatias në 1-1 me rrogozhinasit e tani në derbin me Dinamon. Nuk është për tu anashkaluar detaji i një Mba në pankinë dhe një fytyre të trishtë të nigerianit kur u fut në fushë nga Zekic, pikërisht për Bintsouka në minutën e 72.
Djaloshi shënon në ndeshjen e dytë radhazi dhe përpara krijon hapësira që shndërrohen në raste për Grezdën, Carën, Da Silvën apo cilindo preferohet nga tekniku kroat në krahë. Bintsouka po garanton për Partizanin gola e lëvizshmëri e ndoshta Mba ka të drejtë të ndihet i kërcënuar…