Besëlidhja ka katër javë që i ka dhënë lamtumirën Kategorisë së Parë, megjithatë në fundjavë do të jetë e detyruar për të udhëtuar drejt Peshkopisë për të luajtur ndeshjen e fundit të kampionatit, ndaj Korabit.
Zhgënjimi është i madh në radhët e futbollistëve, megjithatë lojtarët së bashku me stafin kanë vijuar normalisht stërvitjen, por duke patur njëkohësisht edhe shumë pikëpyetje për të ardhmen. Në lidhje me këtë situatë ka folur kapiteni i ekipit Klejdi Dibra.
Në një prenoncim ai është shprehur: “As që e mendoja deri nga mesi i fazës së dytë që Besëlidhja nuk do t’i mbijetonte rënies. Gjithsesi tashme çdo gjë ka përfunduar dhe Besëlidhja në sezonin e ardhshëm do të luajë në Kategorinë e Dytë. Une po mbyll sezonin e 11-të me fanellën e Besëlidhjes, me vetëm një sezon shkëputje prej saj.
Pas tifozërisë dhe qytetarëve lezhjanë, jam ai që jam mërzitur më shumë për rënien nga Kategoria, por shprej që sezonin e ardhshëm skuadra të rikthehet aty ku i takon. Sa i takon të ardhmes time, kam ende energji për të luajtur por te Besëlidhja nuk e di se si do te vijnë punët. Është herët për të vendosur”.