Një situatë e pazakontë dhe me shumë pikëpyetje juridike ka përfshirë klubin e futbollit të Lushnjës, teksa Bashkia Lushnje ka vendosur të nxjerrë në ankand 70% të aksioneve të klubit, edhe pse këto aksione rezultojnë aktualisht nën masë sekuestroje konservative.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga bashkia, procedura për shitjen e aksioneve do të zhvillohet përmes ankandit të hapur më 1 qershor 2026. Vlera fillestare e përcaktuar për shitjen e paketës së aksioneve është rreth 98 milionë lekë të vjetra. Megjithatë, dokumentacioni i publikuar në Qendra Kombëtare e Biznesit tregon një tjetër realitet, që e bën edhe më të ndërlikuar situatën e klubit lushnjar. Në ekstraktin historik të shoqërisë rezulton se më 17 shkurt 2026 është regjistruar një urdhër nga shoqëria private përmbarimore Astrea, ku vendoset masa e sekuestros konservative mbi aksionet e klubit dhe mbi të gjitha të drejtat që burojnë prej tyre.
Në urdhrin përkatës ndalohet qartë çdo formë “tjetërsimi apo disponimi” të aksioneve, si edhe çdo veprim që mund të sjellë ndryshime në regjistrin tregtar të shoqërisë. Kjo do të thotë se, ndërkohë që aksionet figurojnë të bllokuara në regjistrat zyrtarë dhe nën kufizime ligjore, Bashkia Lushnje ka vendosur t’i nxjerrë ato në ankand publik për shitje. Situata ka ngritur menjëherë pikëpyetje të forta juridike dhe administrative. Si mund të zhvillohet një procedurë shitjeje për aksione që rezultojnë nën sekuestro? A ekziston ndonjë autorizim tjetër ligjor që nuk është bërë publik? Apo kemi të bëjmë me një procedurë që bie në kundërshtim me vetë vendimin e përmbarimit?
ASNJË SQARIM Deri tani nuk ka një sqarim zyrtar nga ana e bashkisë lidhur me këtë kontradiktë, ndërsa çështja pritet të sjellë debat jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë ligjor. Ndërkohë, drama që po kalon klubi lushnjar shihet nga shumë tifozë dhe sportdashës si pasqyra më e qartë e krizës së vazhdueshme në administrimin e klubeve shqiptare të futbollit. Nga një emër me histori në futbollin shqiptar, Lushnja po përballet sot me probleme financiare, borxhe, procedura përmbarimore dhe paqartësi mbi të ardhmen e klubit.
Sezoni i fundit ishte ndër më të dobëtit në historinë e skuadrës. Lushnja e mbylli kampionatin e Kategorisë së Parë në vendin e fundit me vetëm 26 pikë, duke rënë për herë të parë në nivelin e tretë të futbollit shqiptar. Rënia sportive ka sjellë revoltë të madhe te tifozët lushnjarë, të cilët prej kohësh akuzojnë drejtuesit për keqmenaxhim të klubit dhe mungesë vizioni për të ardhmen. Në vend që të flitet për rikthimin e skuadrës historike në elitë, sot në Lushnje diskutimi kryesor është mbijetesa financiare dhe ligjore e klubit. Gjasat janë që klubi i Lushnjës të fuksionojë me një drejtim dhe menaxhim të ri duke nisur nga sezoni 2026-2027, ku klubi do të militojë në Kategorinë e Dytë. 70% të aksioneve do të shiten te privati, ndërsa Bashkia Lushnjë do të kontrollojë një paketë me 30% të aksioneve, si masë sigurie për mbarëvajtjen e klubit.
1 comment
Comments are closed
Add Comment