Regjisori dhe aktori i njohur Bujar Kapexhiu, ndërsa ka folur për ndarjen nge jeta të aktorit Mirush Kabashi, është shprehur se artistët si ai, janë të rrallë.
Bujar Kapexhiu, ka treguar njohjen e tij me Kabashin, i cili u nda sot nga jeta pasi humbi betejën me një sëmundje të rëndë.
Në një lidhje telefonike për News24, Kapexhiu vlerësoi figurën e Kabashit, ndërsa theksoi se ai ishte tepër i veçantë për nga talenti.
“Një humbje e madhe për familjen, miqtë, shokët dhe artin shqiptar. Themi shpesh për aktorët dhe regjisorët që janë të rrallë, por për Mirushin fjala e sinqertë është; një aktor dhe artist i rrallë. Ai ka qenë një aktor i talentuar, virtuoz. Atë e dallonte nga të tjerët, serioziteti, këmbëngulja dhe puna që bënte me rolin, madje ne thonim, e tepron më këtë seriozitet.
Mbi këtë material më pas kishte një punë të jashtëzakonshme. Ai kishte korrektesë për gjithçka. E kam pasur edhe në shfaqjet e mia si regjisor dhe ishte moderator i spektaklit, dhe ishte i shkëlqyer. Ai e përpunonte tekstin në çdo germë, një saktësi, korrektësi. Artistët si Mirush Kabashi janë të rrallë”, tha Bujar Kapexhiu.