Policia greke ka arrestuar një trajner të Taekwondo-së, pasi akuzohet se në harkun e 12 viteve ka dhunuar seksualisht pesë sportistet e tij të mitura. 44 vjeçari (A.D.) nuk ka pranuar akuzat, teksa tanimë vajzat në moshë më të madhe kanë marrë guximin për të denoncuar dhunën seksuale të ish-trajnerit të tyre.
Bëhet fjalë për A.D. 44 vjeç, trajner në klubin Iris Ilioupoli. Trajneri akuzohet se nga mesi i vitit 2009 deri në fillim të vitit 2020, qoftë brenda ambienteve të palestrës, qoftë në shtëpinë e tij, i ka detyruar vajzat të zhvishen dhe i ka dhunuar seksualisht.
I pandehuri, i cili u arrestua pas një urdhër-arresti, pohon se ky është një mashtrim, se ai nuk i ka ngacmuar asnjëherë vajzat dhe në asnjë rrethanë nuk ka pasur kontakte seksuale me to.