Antalya 2024/ Kundërshtar holandez dhe azer, Partizani zbulon ekipet që do të luajë në fazën përgatitore

by KLIKOJE.AL

Ndryshimi teknik, me ardhjen e teknikut Orges Shehi vetëm pak ditë para mbylljes së vitit 2023, e ka bërë të nevojshme për Partizanin, një fazë përgatitore intensive, pavarësisht se koha deri në rinisjen e kampionatit nuk është e madhe. Kështu, të kuqtë kanë zgjedhur Turqinë dhe rezidencat e Antalias nga data 2 deri në 10 janar, duke i dhënë mundësinë teknikut të njohë në detaje lojtarët me të cilat do të punojë për gjysmën e dytë të sezonit, në kërkim të konfirmimit kampion.

8 ditë shumë të rëndësishme, në fakt, edhe në këndvështrimin e merkatos, me drejtuesit dhe Shehin që do të diskutojnë për përforcimet e mundshme, ndoshta me mundësinë konkrete për ti provuar në dy miqësoret në program. Pikërisht kështu sepse Partizani ka të planifikuara dy teste të rëndësishme gjatë ditëve turke.

Në datën 5 janar Shehi dhe të tijtë do të përballen me holandezët e Volendam aktualisht në vendin e 17 në Eredivisie e që vjen nga katër humbje në 5 ndeshjet e fundit. Katër ditë më pas, në 9 janar e një ditë përpara kthimit në Tiranë, Partizani do të luajë kundër Neftchi Baku, i treti në kampionatin azer, e që duke parë kohët e testit është edhe sfida më e rëndësishme për Shehin, përpara rifillimit të kampionatit. Kategoria Superiore rinis në 12 janar me javën e 19, ndërsa Partizani do të zbresë në fushë një ditë më pas kundër Teutës.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.