Anis Mehmeti vazhdon të shkëlqejë në kampionatin e kategorisë së dytë angleze të futbollit, ku sot ka shënuar golin e tij të 12 të sezonit, i cili është padyshim më i miri i karrierës për anësorin e sulmit.
Futbollisti i cili pritet të jetë pjesë e listës së trajnerit Silvinjo për ndeshjet e muajit mars, sot ka shënuar golin e 12-të sezonal në ndeshjen që Bristol luante ndaj Hall Siti. Në pjesën e dytë të takimit, Mehmeti ia doli të shënonte me një penallti, duke e transformuar atë me qetësi për të barazuar përkohësisht shifrat në 1-1. Lojtari shqiptar është kthyer ndër emrat më të rëndësishëm të Bristolit dhe Championship, teksa për të së fundi kanë shfaqur interes edhe klube të rëndësishme të cilat synojnë të bëhen pjesë e Premier League-s
Anësori po kalon një formë të mirë me Bristolin në Championship-in anglez dhe pak kohë më parë, stafi teknik i Kombëtares shkoi dhe e takoi nga afër 24-vjeçarin dhe konsumoi një bisedë me të në lidhje me qasjen e tij dhe konsideratën për ta rikthyer në skuadër.
Vazhdimësia që Mehmeti ka në këtë sezon, duke shënuar 12 gola deri tani dhe duke asistuar disa herë, i rrisin shanset për një grumbullim në dy ndeshjet e para kualifikuese që kuqezinjtë do të luajnë, me Anglinë dhe Andorrën, pavarësisht se konkurrenca në krah është e lartë, duke përmendur emra si: Bajrami, Hoxha apo Muçi.