Në rrugën Agim Ramadani në Prishtinë, një kombësor është goditur për vdekje.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se drejtuesja e automjetit që shkaktoi aksidentin me fatalitet, është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.
“Ju njoftojmë lidhur me aksidentin i cili ndodhi sot në rrugën “Agim Ramadani”, se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarës, për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” (me fatalitet). E dyshuara është dërguar në mbajtje ne kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se viktima ka vdekur në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të rënda.
Automjeti kishte goditur sinjalizuesin vertikal dhe më pas shtylla e sinjalizuesit ka goditur viktimën.
Policia me aksion në terren
Gjatë 24 orëve të kaluara janë evidentuar gjithsej 34 aksidente në trafikun rrugor.
Policia e Kosovës me zyrtarët e saj janë duke kryer aktivitete në teren me qëllim që të parandalohen aksidentet rrugore, por edhe janë duke ndërmarr masa ndëshkuese ndaj atyre personave që nuk respektojnë rregullat dhe shenjat në trafik.
Siç njoftohet, gjatë 24 orëve në këtë fushëveprim në nivel vendi janë realizuar 804 pika kontrolli të automjeteve, përderisa 34 shoferëve iu janë konfiskuar patentë shoferi per shkelje të ndryshme të rregullave në trafik.
Policia apelon tek të gjithë shoferët, por edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik që të jenë të kujdesshëm dhe gjatë pjesëmarrjes në rrugë të respektojnë dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuon në zvogëlimin e statistikave të aksidenteve rrugore e në veçanti parandalimin e aksidenteve të tilla me pasoja fatale.