Elbasani bind edhe Abaz Karakaçin. Mesfushori i larguar rishtas nga Kastrioti është afrimi i fundit i verdhebluve. Pas disa ditësh negociata, drejtuesit kanë arritur akordin me shkodranin. Vetëm zyrtarizimi ka mbetur tashmë dhe është çështje orësh.
Pas Kledis Hidës, Eraldo Dedes, Rei Zaimit, Spartak Ajazit dhe Albi Xhebrahimit drejt zyrtarizimit edhe mesfushori. Ai ka nënshkruar tashmë, duke u bërë blerja numër 6 në këtë merkato vere.
Elbasani ka treguar se është një nga ekipet më aktive në merkato, pasi deri tani janë zyrtarizuar pesë lojtarë. Por, priten edhe të tjera gjatë ditëve në vijim. Klubi i ka idetë e qarta për këtë sezon, ku do të kërkojë patjetër ngjitjen në Superiore, që përbën edhe një rekord, sepse në harkun e brenda tri viteve nga krijimi të jetë në elitën e futbollit shqiptar. Plani është që deri në fund të qershorit të jetë krijuar baza e ekipit për edicionin e ardhshëm.