Nga: David Schwartz “Psychology Today”
Është e qartë se shumë nga sukseset tona në moshë madhore, i kanë bazat e tyre që në fëmijërinë e hershme. Mënyra se si fëmijët tanë i interpretojnë veprimet tona dhe të atyre që i rrethojnë,ndihmon shumë në përcaktimin se çfarëdo të bëhen ata. A do të jenë ata të sigurt në vetvete? A do jenë në gjendje të përballojnë presionin e kolegëve, dhe të shmangin aktivitetet dhe substancat e rrezikshme?
A do të jenë ata në gjendje të jenë të respektueshëm ndaj të tjerëve, dhe të jetojnë sipas etikës dhe vlerave të tyre? Dhe më e rëndësishmja:A do jenë ata në gjendje të kenë një jetë të lumtur dhe përmbushëse?Të gjitha këto pyetje priren të jenë në krye të listës së secilit prind, kur bëhet fjalë për rritjen e fëmijëve të lumtur, të dhembshur, të sigurt dhe të plotësuar. Po si arrihet në këtë pikë? Ja cilat janë 7 të vërtetat që nuk duhet të harroni t’ua mësoni fëmijëve tuaj.
- Fëmijët duhet ta dinë se edhe nëse do të dështojnë në diçka,familjarët e tyre sërish do ti duan
Ne jetojmë në një shoqëri që shpesh e vlerëson suksesin mbi gjithçka tjetër. Media i bën idhuj ata që janë sot në majë sa i përket pasurisë dhe famës, dhe shpesh nuk i intereson se si kanë arritur atje. Për pasojë, nganjëherë fëmijët rriten duke ndjerë se “të fitosh është gjithçka në këtë jetë”, dhe për pasojë ata mund të rrezikojnë etikën dhe moralin e tyre për të arritur atë që duan.
Por kur fëmijët e dinë se duhen fort nga prindërit dhe familjarët e tyre, pavarësisht nëse kanë apo jo sukses në atë që po përpiqen të bëjnë, kjo mund t’i ndihmojë ata të mbeten të përqendruar në pasjen e një jete që respekton vlerat dhe normat etike dhe sociale.
- Ata nuk duhet të ndikohen nga mendimet e të tjerëve
Një nga gjërat më të mira që mund të ndiejë një fëmijë,është besimi në vetvete. Ai mund t’u japë atyre forcën për të ndjekur rrugën e tyre. Ata nuk kanë pse të varen nga pikëpamjet dhe mendimet e njerëzve të tjerë, për të vërtetuar vlerën e tyre në këtë botë. Nëse ka diçka që ata duan ta bëjnë apo që është e rëndësishme për ta, ata mund ta bëjnë, dhe të mos lejojnë që mendimet e të tjerëve t’i ndalojnë të ndjekin ëndrrat e tyre.
- Ata kanë vlerë vetëm duke qenë vetvetja
Fëmijët nuk kanë pse të bëjnë apo provojnë asgjë për të qenë të denjë për të marrë dashuri. Shpesh në shoqërinë tonë, ne e barazojmë atë që bën një person me vlerën e tij. Kjo i nxit fëmijët të rriten duke besuar se duhet të ndjekin gjëra që vlerësohen nga njerëzit e tjerë. Nëse u thoni atyre se çfarëdolloj gjëje që ka rëndësi për ta (qoftë kjo një karrierë e caktuar, hobi unik, apo mënyrë alternative e jetesës), ka vlerë dhe meriton të respektohet, kjo i ndihmon fëmijët të rriten krenarë për atë që janë, dhe të ndihen mirë për atë çka është e rëndësishme për ta.
- Të qenit në gjendje të mendojnë vetë
Në botën e sotme të mediave sociale, ka miliona njerëz që duan të na bindin se mënyra se si ata mendojnë është më e drejta. Fëmijët, të cilëve u mësohet se nuk kanë pse të pranojnë këndvështrimin e askujt si pikëpamjen e vetme, janë fëmijë që mësojnë aftësinë e të menduarit kritik. Kur janë në gjendje t’i zhvillojnë këto aftësi, kjo i ndihmon ata jo vetëm të vlerësojnë bindjet e tyre, por gjithashtu i ndihmon të ecin më mirë në jetë.
- Edukimi dhe trajnimi janë të rëndësishëm
Diskutimi me fëmijën tuaj mbi rëndësinë e një arsimimi të mirë dhe trajnimit për një vend pune, i bën ata ta dinë se shkollimi i tyre ka një qëllim madhor. Kjo u tregon atyre rëndësinë e ngritjes mbi sfidat e arsimimit të tyre, dhe i ndihmon të njohin vlerën e tij afatgjatë.
- Jo vetëm destinacioni por edhe udhëtimi mund të jetë i gëzueshëm
Kur njerëzit shohin vlera dhe ndjejnë kënaqësi vetëm kur arrijnë qëllimet e tyre përfundimtare, ata mund të jenë duke humbur gëzimin dhe ndjenjat e mira që mund të ndodhin gjatë rrugës. Është shumë e rëndësishme që fëmijët ta dinë se jeta nuk është gjithmonë e lehtë dhe se në disa raste shfaqen situata të vështira, por ajo mund të jetë gjithashtu e gëzueshme dhe emocionuese.
Ka shumë kënaqësi që duhet të merren gjatë punës drejt ëndrrave tona, dhe jo vetëm kur i arrijmë ato. Miqtë, familja dhe përvojat e reja të gjitha kontribuojnë në një jetë të mbushur plot. Njerëzit që mund ta shijojnë udhëtimin drejt suksesit të tyre, kanë shumë më tepër mundësi për të qenë të lumtur sesa njerëzit që janë të lumtur vetëm pasi arrijnë synimet e tyre.
- Të qenit një person i dhembshur
Pavarësisht nga sistemi juaj i besimit apo pikëpamjet politike, të qenit i dhembshur dhe i kujdesshëm ndaj njerëzve të tjerë, mund të jetë diçka jashtëzakonisht e rëndësishme për
një jetë të realizuar. Kur kujdesemi për njerëzit, dhe mund të shohim të përbashkëtën dhe jo vetëm ndryshimet midis nesh, ne ndërtojmë më shumë ura drejt kujdesit dhe respektit në botë. Rritja e fëmijëve të kujdesshëm, dhe të dhembshur ndaj të tjerëve, të cilët kanë një ndjenjë të fortë të besimit dhe moralit të tyre, ndihmon për ta bëtë botën një vend më të mirë dhe më të respektueshëm.
Burimi: www.psychologytoday.com