Ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi ka përkujtuar sot 21 Janarin.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social ‘Facebook’ Boçi i bën thirrje SPAK-ut që të marrë kryeministrin Edi Rama si të pandehur për 21 Janarin.
Sipas Boçit, sa herë vjen kjo datë, ka shpërthen një dhunë-zhurmë mediatike, produkt i një propagande të shfrenuar dhe histerike, duke lënë me qëllim jashtë vëmendjes shkakun thelbin dhe dinamikën që prodhoi 21 Janarin.
Postimi i plotë i Boçit:
DHUNA NDAJ 21 JANARIT
Sa herë vjen kjo datë, shpërthen një dhunë-zhurmë mediatike, produkt i një propagande të shfrenuar dhe histerike.
Gjithçka fokusohet tek pasoja fundore e kësaj ngjarje, duke lënë me qëllim jashtë vëmendjes shkakun thelbin dhe dinamikën që prodhoi 21 Janarin e që ngjarja të mbesë e izoluar në përjetimin emocional (të drejtë) të humbjes së katër jetëve.
Është një shtrembërim i së vërtetave që mbështetet në teknologjinë e propagandës thërrmuese e jo në fakte.
Dhuna që prodhohet sot ndaj 21 Janarit, është ekuivalente me atë dhunë që u dëshmua nga organizuesit e saj politikë atë ditë.
Ndërkohë shkaku e thelbi i ngjarjes është i qartë dhe i dukshëm.
21 Janari nuk ishte protestë, siç e retushojnë sot e dje grafomanët politikë e mediet servile. Nuk ishte protestë e thjeshtë që rastësisht u shndërrua në tragjedi.
21 Janari ishte tentativë e përmbysjes së rendit kushtetues me dhunë dhe marrje pushteti e paralajmëruar po me dhunë.
Ai si i tillë u përgatit, u paralajmërua dhe u financua nga njerëz tashmë në pushtet, pushtet të cilin kërkuan që atëherë ta merrnin e mbanin me dhunë, në krye të cilëve qëndron Edvin Rama.
Kush ishte i dëshiruar për viktima?
21 Janari u pararend dhe u paralajmërua si ngjarje e përgjakshme nga vetë organizuesit.
Rama vetë në prononcimet e tij deklaronte domosdoshmërinë e pasjes së viktimave. Dhe zinxhiri politik i tij përfshirë mediet pranë tij, ngrinte lart retorikën e një dhune të domosdoshme. Ndërsa organizuesit pajisën dhe financuan çdo detaj për ta derdhur turmën drejt policisë e për të pushtuar Kryeministrinë.
Rama i dërgoi njerëzit para Kryeministrisë që t’i vriste jo t’i drejtonte në një protestë politike.
Suksesi i Ramës për atë ditë u barazua me dy fjalë: gjak dhe viktima.
Kjo ishte dëshira e tij, por mbi të gjitha qëllimi i tij.
Rama ia arriti këtij qëllimi me format dhe mënyrat që dihen. Madje duke përdorur dhe grupin e zjarrit të gardës drejtuesin e së cilit e dekoroi politikisht, deri në Kryetar Bashkie.
Dhe poshtërsisht këtë qëllim, vazhdon ta përdorë me të njëjtën dhunë, duke u munduar të fshehë rolin e përgjegjësinë penale të vetën ndaj kësaj ngjarje.
Aspak i interesuari për pasojat me jetë të kësaj ngjarje, ishte Kryeministri Sali Berisha.
Kjo dhe në planin njerëzor, por dhe politik. Çdo degradim i ngjarjes do ishte një minus për qeverisjen e tij dhe ai bëri gjithçka që kjo të mos ndodhte.
Ai ishte personi më i largët i pasojave të kësaj ngjarje për faktin e thjeshtë se mbrojtja e institucioneve shtetërore bëhet pavarësisht vullnetit të tij, nga organet e përcaktuara ligjërisht.
Retorika ndaj Sali Berishës është krejt boshe dhe e pavlerë.
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për ngjarjen?
Moralisht për njerëzit që i merr për arsye politike mban përgjegjësi ai që i thërret.
Këtu s’ka asnjë mëdyshje. Viktimat i përdori si mish për top ai që sot e gjithë këto vite teatron sikur i dhemb. Përgjegjësinë e ka njeriu që e ndërtoi pushtetin e vet mbi fatkeqësinë e katër familjeve që i keqpërdori atë ditë dhe vazhdon t’i keqpërdorë për qëllimet e tij të ulta politike e për të akuzuar pa asnjë bazë kundërshtarin e tij politik.
Juridikisht: Akuza e ngjarjes është e thjeshtë: Permbysje e rendit kushtetues me dhunë me autor Edvin Ramën.
Përgjegjësitë e tejkalimit të kompetencave nga garda janë marrë dhe janë konsumuar në një proces të ezaurur.
Ngelet vetëm pika e kontaktit e Ramës, jo e vetme, në grupin e zjarrit, aktiviteti i së cilit e të cilëve mbart shumë pikëpyetje.
Hiqeni vellon e emocionalitetit dhe dhunën ndaj 21 Janarit, sepse qartazi dhunën dhe pasojat e dhunshme i prodhoi tentativa e Ramës për të marrë pushtetin me dhunë!
SPAK të marrë Ramën të pandehur për 21 Janarin!