Zjarret në Shqipëri/ Komiteti i mbrojtjes civile: Serioze situata në Karaburun

Komiteti i Mbrojtjes Civile është mbledhur për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar nga zjarret në Shqipëri.

Mbrojtjes Niko Peleshi e vlerësoi serioze gjendjen në gadishullin e Karaburunit, ku vatra ka marrë përmasa të rrezikshme, ndihmuar edhe nga era, e cila ndikon në përhapjen e flakëve.

Ministri tha se është menaxhuar me sukses shmangia e prekjes së bazës së Pashalimanit, ndërsa po punohet për shuarjen e vatrës në malin e Dukatit, për të mos lejuar që flakët të kalojnë në Parkun e Llogarasë.

Ministri tha se duke qenë se zjarret kanë përfshirë dhe shtetet të tjera në rajon është e vështirë marrja e ndihmës prej tyre për shuarjen e zjarreve.

Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako kërkoi maksimizim të bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë situatë. Çako informoi se aktualisht në vend janë 3 vatra zjarri efektive.

Ai kërkoi nga policia të vendosen para përgjegjësisë personat, një pjesë e të cilëve janë identifikuar si autorë të zjarrvënieve. Dy vatra zjarri, një në Vaun e Dejës dhe një në fshatin Palokastër në qarkun e Gjirokastrës janë vënë nën kontroll. Ndërsa janë shuar vatrat në Fier, Ksamil, Mamurras e Përmet.

Agjencia e Mbrojtjes Civile ka kontaktuar edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile në Bruksel, ndërsa Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka patur biseda telefonike me homologët në Kroaci e Kosovë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në rast se do të jetë e nevojshme, në varësi edhe të situatave të tyre të brendëshme.

Kontakte janë bërë edhe me qeverinë Italiane. Prej ditës së martë do të jenë në dispozicion tre helikopterë, të cilët do të ndërhyjnë nga ajri për shuarjen e vatrave të zjarrit, veçanërisht në Karaburun. Komiteti i Mbrojtjes Civile miratoi autorizimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile e Ministrisë së Mbrojtjes për të përdorur kapacitete dhe fonde shtesë, në rast të emergjencës, përtej atyre që kanë në dispozicion, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin me subjekte private apo nga jashtë vendit.

Related posts

Monedhat e huaja pësojnë rënie/ Këmbimi valutor për ditën e sotme, 4 korrik 2024

“5 milionë lekë, për ty 4! Emiljano: Shumë e ka!”/ Përgjimet në dosjen Onkologjikut! Ja pazari që bëhej për pacientët me kancer

Monedhat e huaja në “krizë”/ Kursi i këmbimit për sot, 23 qershor 2024