Zbulohet “shtëpi bari” në Vorë, arrestohen bashkëshortët(VIDEO)

Më 5 mars, Policia e Shtetit nisi zbatimin e planit operacional për kontrollin e ambienteve të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e vendit, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Megjithëse u angazhuan gati 2 mijë policë, 25 dronë e shumë mjete të tjera, operacioni u mbyll pa gjetur asnjë farë dhe asnjë bimë kanabis.

Por dje, gjatë një operacioni të Policisë së Tiranës, duket se mori shpjegim fakti që efektivët nuk gjetën ambiente të hapura në terren për të kultivuar kanabis, pasi duket se tashmë edhe në vendin tonë kanë nisur të funksionojnë “shtëpitë e barit”, si në Angli.

Një shtëpi e tillë, e përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, u zbulua në Vorë, gjatë operacionit të koduar “Vila”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan bashkëshortët Klejdian dhe Anita Zeqo. Ndërsa u sekuestruan 3.6 kg hashash, fara dhe 9 fidanë kanabisi.

OPERACIONI

Policia e Tiranës njoftoi dje për finalizimin e operacionit antikanabis të koduar “Vila”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Komisariati i Policisë Vorë.

“Kishin përshtatur banesën për kultivimin e bimëve narkotike, vihet në pranga çifti i bashkëshortëve. Sekuestrohen 3.6 kg lëndë e dyshuar kanabis, fidanë narkotikë të kultivuar, fara kanabisi, aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike, një sasi me lëndë të dyshuar heroinë dhe sende të tjera të kundërligjshme”, tha Policia në njoftimin zyrtar.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë, në bazë të informacioneve të siguruara nga qytetarët, pas një pune hetimore disa javore, finalizuan operacionin antikanabis të koduar “Vila”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit, Klejdian Zeqo, 34 vjeç dhe Anita Zeqo (Dimitrova), 31 vjeçe, banues në Vorë, (bashkëshortë). Këta shtetas, në bashkëpunim me njëritjetrin, kishin përshtatur ambientin e banesës së tyre me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3.6 kg lëndë e dyshuar kanabis, 9 fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar, pajisje që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, fara kanabisi dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Burimi: Panorama

Related posts

Shoqërohen në polici përfaqësues të degës së PD-së në Elbasan (EMRAT)

Monedhat e huaja thellojnë rënien/ Kursi i këmbimit për ditën e sotme, 27 shtator 2024

Luhatje të papërfillshme në monedhat e huaja/ Kursi i këmbimit, 22 gusht 2024