Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shfaqur i interesuar për mënyrën se si është pritur dhe trajtuar delegacioni i Kombëtares së Shqipërisë gjatë qëndrimit të tyre në një hotel në Serbi, në kuadër të ndeshjeve të fundit ndërkombëtare. Një lajm i tillë është konfirmuar nga emisioni “Paso” në Supersport me gazetarin Glenti Nallbani që dha një informacion të tillë.
Sipas burimeve pranë stafit organizativ, Vuçiç ka zhvilluar një bisedë të shkurtër me pronarin e hotelit ku ishte akomoduar ekipi shqiptar, duke pyetur nëse çdo gjë ka kaluar pa probleme dhe nëse stafi e lojtarët janë ndjerë të respektuar e të sigurt.
Presidenti serb thuhet se ka kërkuar që gjithçka të zhvillohej në frymë sportive dhe pa tensione, duke theksuar rëndësinë e respektit reciprok ndërmjet skuadrave.
Nga ana tjetër, burime nga Federata Shqiptare e Futbollit kanë bërë të ditur se akomodimi dhe mikpritja kanë qenë korrekte dhe pa incidente, duke vlerësuar profesionalizmin e organizatorëve vendas.