Voskopoja një fshat me një histori të gjatë!

Pozita gjeografike

Voskopoja ndodhet midis Gorës dhe Oparit (20km). Fshati është i rrethuar nga kodra të larta dhe nga pyje me fiere. Klima në këtë fshat është me verë të freskët dhe dimër të ftohtë e me reshje dëbore gjatë pjesës më të madhe të kësaj stine. Këtu ndodhen edhe disa pista natyrale për ski. Ky fshat njihet për ajrin e pastër dhe forcën kuruese të sëmundjeve të frymëmarrjes. Ky fshat mund të quhet një perlë e peizazhit shqiptar. Historia e Voskopojës fillon të shkruhet në shekullin e XIV(14), por ky fshat nuk kishte fituar famë deri në shekullin e XVII(17) kur progresi në kulturë e edukim u bë i njohur. Voskopoja ka pasur 24 kisha me afreske nga më të bukurat sot ekzistojnë, mbijetojnë vetëm 7 prej tyre.

Historiku

Voskopoja, dikur një qëndër e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe artit, plot prosperitet, njohu ritmin e tregëtisë së kohës me qendra të tjera të rëndësishme të Shqipërisë, Ballkanit dhe më tej. Tregëtia me perëndimin dhe lindjen, si një udhëkryq ku takoheshin kulturat e kohës, i dha zhvillim të gjithanshëm qytetit.Themelimi i saj mendohet të jetë rreth vitit 1330, nga një komunitet vllah, duke u banuar edhe nga shqiptarë, ndërsa Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në një kodër, ishte kisha më e vjetër (sot e rindërtuar mbi rrënojat e kishës së djegur), rreth së cilës u ndërtuan edhe shtëpitë e para.Arkitektura e kishave, mjeshtrat e ikonave dhe afreskeve si David Selenica,vëllezërit Zografi nga Korça, Konstandin Ieromonaku, mjeshtër për ikonostaset është ende kjo pasuri, që i ka rezistuar kohës, luftrave, dëmtimit nga dora e njeriut, si dëshmimtare unike e atij qytetërimi, janë ato të cilat tregojnë vlerat e saj të papërsëritshme.Voskopoja tregoi interes të veçantë për zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe artit bizantin të kohës. Duke patur një status të veçantë për kohën nën Perandorinë Otomane, voskopojarët mundën të ndërtonin dhe të zhvillonin strukturat jetike për një qytet. Prandaj ndërtimi i kishave të stilit bizantin, të vizitueshme edhe sot për afresket origjinale, për arkitekturën e tyre dhe harqet apo kupolat e pikturuara (24 kisha gjithsej dhe manastiri i Shën-Prodhromit), ende mahnisin vizitorët e shumtë. Themelimi i “Akademisë së Re”-shkolla, që edukoi mijëra studentë dhe i strehoi në konviktin e saj, shtypshkronja e parë në rajon, pas asaj të Kostandinopojës si një gur themeli për qytetin, që nxori në dritë botime të shumta, duke ndihmuar zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe artit, bibliotekë të pasur me libra filozofësh, dijetarësh të mëdhenj evropianë, me jetimore, shtëpi karakteristike me gurë, ura, rrugë me kalldrëme, etj.Duke qenë një qendër e rëndësishme kulturore në rajon, gjuhët e folura në Voskopojë janë disa, si arumanishtja, shqipja dhe greqishtja, kjo e fundit si gjuha e kulturës së kohës.

Zakone dhe tradita

Voskopoja në vite u zhvillua dhe vazhdoi të ruajë zakonet, historinë dhe traditat e krijuara prej kohësh. Njëzetë e katër kishat e saj u kthyen në qëndra të rëndësishme edukimi liturgjik, të ruajtjes dhe përhapjes së gjuhës Shqipe, të ruajtjes së trashgimisë kulturore, të dokeve dhe zakoneve.

Voskopoja dallohet për përgatitjen e punimeve të dorës bazuar në mjeshtërinë lokale dhe burimet natyrore, veçanërisht për  punimin e drurit, thurrjen e veshjeve te leshta e shumë punime të tjera me vlerë.

Me bibliotekë, me Akademi,me trotuare me kalldrëm,me shumë piktorë të shquar të kohës si David Selenica, Kavalioti, Grigori etj., me traditë të pasur popullore e me zejtari, Voskopoja, tashmë është një kryeqëndër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore.

Festat tradicionale

Sezoni i verës në Voskopojë është gjithmonë e më atraktiv për turistët e shumtë. Mjafton të dalësh shëtitje mëngjeseve apo mbrëmjeve, për të thithur ajrin e freskët, për të shijuar ujin e burimeve apo çezmave të shumta nëpër fshat, për të bërë kamping apo ekskursione. Larg zhurmës, larg vapës, pluhurit apo angazhimeve në punë, në Voskopojë gjen edhe gatimet tradicionale të zonës. Nuk mund të largohesh pa shijuar  lakrorin në saç, qengjin në hell, rakinë e kumbullës, petullat e fshira, petkat, petanikun, kulaçin, etj. 

Kishat e Voskopojës

Nga 22 kishat e dikurshme kanë mbetur në këmbë në Voskopojë ende pesë kisha dhe një manastir jo shumë larg fshatit të sotëm. Kishat, të gjitha të tipit bazilikë, janë dëmtuar shumë jo vetëm nga plaçkitjet dhe vandalët, por edhe nga dy luftëra botërore, gjatë të cilave u shndërruan deri në depo municioni. Një tërmet i fuqishëm që goditi zonën në vitin 1960 i shtoi edhe më shumë dëmet. Vitet e fundit kishat dhe manastiri i Voskopojës janë restauruar. Vizitën e tyre mund ta nisni që në qendër të fshatit, ku do të shihni kishat e para të saj. Bëni kujdes! Për t’i vizituar ato duhet më parë të takoni kujdestarin e tyre që banon diku në qendër ose, akoma më mirë, priftin e fshatit. Përgjithësisht të gjithë banorët janë njerëz mikpritës dhe të qeshur. Të gatshëm t’ju ndihmojnë për çdo gjë. Një këshillë: kudo nëpër Voskopojë mund të udhëtoni me makinë, porse do ta ndjeni veten më mirë sikur vizitën e kishave ta kryeni në këmbë. Do të kini rastin jo vetëm të shijoni historitë e vjetra kishtare, por edhe të shijoni jetën e vërtetë dhe natyrën voskopojare. Kishat e sotme të Voskopojës janë:

Manastiri i Shën Prodhromit

Manastiri i Shën Joan Pararendësit (Prodromios) është themeluar në shekullin 14-të dhe gjatë periudhës së lulëzimit të Voskopojës, në shekujt 17-të e 18-të, u bë një nga mbështetjet më të fuqishme ekonomike dhe eklesiastike të Arkipeshkopatës së Ohrit. Kisha e këtij manastiri është ndërtuar më 1632 sipas tipit Athonit, trekonkësh, me plan në formë kryqi mbuluar me një kupolë të vendosur mbi një tambur të lartë. Interieri i kishës u dekorua me piktura në vitin 1659. Narteksi i kishës është ndërtuar dhe pikturuar nga fundi i shek. 17të, ose fillimi i shek.18të. Konakët e manastirit dhe vetë kisha u dëmtuan rëndë nga bombardimet e nazistëve gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kisha e Shën Athanasit

Kisha e Shën Athanasit është ndërtuar mbi kodrën me të njëjtin emër, e cila ka shërbyer edhe si varrezë e qytetit të Voskopojës. Kisha e Shën Athanasit është kisha e katërt e të njejtit tip, bazilikë me mbulesa të kurbëzuara, e ndërtuar në Voskopojë. Kisha është ndërtuar gjatë viteve 1721-24, ku më 1721 ka përfunduar naosi dhe më 1724 ka përfunduar arkada. Narteksi është rrënuar nga tërmeti i vitit 1960. Pikturimi i naosit dhe arkadës ka përfunduar në qershor të vitit 1745 nga vëllezërit Konstantin dhe Athanas nga Korça. Pikturat e naosit dallohen për programin ikonografik tepër të vaçantë, ku prezantohet një cikël tepër i zgjeruar me skena të shumta të martirizimit të shenjtorëve dhe ku trajtimi i hollësishëm deri diku makabër i torturimit të tyre tejkalojnë fantazitë e shikuesit. Në pikturat e arkadës vëllezërit Konstantin dhe Athanas kanë prezantuar me mjeshtëri një cikël të zgjeruar të Apokalipsit, i cili konsiderohet si cikli më i plotë i prezantuar në afreske deri në atë periudhë.

Kisha katedrale “Fjetja e Shën Marisë”

Kjo është kisha më e madhe në Voskopojë dhe ka shërbyer si katedrale e qytetit të dikurshëm. Është ndërtuar rreth vitit 1699 duke servirur një kombinim të përkryer të planit bazilikal me mbulesat e kurbëzuara, me harqe dhe kupola. Kisha është pikturuar më 1712 nga tre piktorë nga krahina e Agrafas në Greqi, Theodhori, Anagnosti dhe Steriani. Pjesë e kishë së Shën Marisë ishte edhe kishëza e Shën Marenës, sot e shkatërruar. Ndërkohë, nga tërësia e ndërtimit të dikurshëm, naosi dhe kambaneria janë ende në këmbë. Në programin ikonografik, vëndin kryesor e zë “Hymni Akathist” dedikuar Shën Marisë, , nga 24 skena, po aq strofa sa edhe hymni.

Kisha e Kryeëngjëjve, Gabriel dhe Mihael

Kisha e Kryeëngjëjve, Gabriel dhe Mihael, e njohur shkurt si kisha e “Shën-Mëhillit”, është e tipit bazilikal, me mbulesë të kurbëzuar, me afreske, paraqet një interest të vazhdueshëm për arkitekturën e saj. E ndërtuar në fund të shek. të 17, rreth vitit 1696, dhe e pikturuar në fillim të shek. të 18, rreth 1722 nga një piktor i panjohur, vlerat e afreskeve të kësaj kishe janë të shkëlqyera dhe me vlera. Pjesë përbërëse e kishën së Kryeëngjëjve, ishin edhe kishëzat e Shën-Spiridonit dhe Shën-Varvarës, të cilat nuk I rezistuan kohës apo shkatërimeve që pësoi Voskopoja në shekuj. Ndërkohë, pjesa e hajatit të kesaj kishe u shkatërrua nga tërmeti i vitit 1960, mund të vizitojmë ende naosin dhe pjesën e narteksit, si një nga kishat më të rëndësishme.

Kisha e Shën-kollit

Kisha e Shën-Kollit ndodhet në qëndër të Voskopojës dhe është kisha më e rëndësishme për arkitekturën e saj me të gjitha elementët e tipit bazilikal post-bizantin, që ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Kjo kishë i ka të gjitha: naosi, narteksti, arkada dhe kambaneria. Është ndërtuar nga qershori i vitit 1721 deri në shtator të vitit 1722, ndërsa kambaneria mendohet të jetë ndërtuar më vonë. Rindërtimi I fundit të saj është bërë rreth vitit 1936.Pjesë e kishës së Shën-Kollit ka qënë edhe kishëza e Shën-Efthimiut,në pjesën jugorë të saj, tashmë e shkatërruar plotësisht. Naosi është pikturuar rreth vitit 1726 nga David Selenica, një prej mjeshtrave më të mirë të shek. të 18-të. Stili i tij i përket shkollës tradicionale të artit të Paleologëve, e njohur edhe si shkolla Maqedonase. Ndërsa arkada është pikturuar rreth vitit 1750 nga vëllezërit Athanas dhe Kostandin nga Korça, të mbiquajtur “Zografi”. Ata kanë pikturuar skena të shumta nga cikli i Apokalipsit, për të dytën herë pas asaj të pasqyruar në kishën e Shën Thanasit ( të dy ciklet nuk janë kopje të njëra-tjetrës, por secila paraqet veçori krijuese).Më 1960, pjesa e arkadës pësoi një dëmtim serioz për shkak të një tërmeti të fuqishëm, duke u shkëputur rreth 28 cm nga naosi. Ndërsa një ekspeditë restaurimi, e ndërmarrë në vitin 1962 nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, për rikthimin në vënd dhe konsolidimin e saj bëri një punë të shkëlqyer dhe profesionale. Ikonostasi i kësaj kishe u punua mjeshtërisht nga Kostandin Ieromonaku rreth vitit 1722-1726, një nga mjeshtrat më të mëdhenj të punimit të ikonës në fillim shek. të 18të. Sot një pjesë të ikonave origjinale janë pjesë përbërëse e Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë.

Çfarë mund të bësh në Voskopojë?

– Vizito  kishat  dhe bazilikat e stilit post-bizantin në Voskopojë

– Eksploro shtigjet natyrore 

– Shëtit nëpër rrugët karakteristike me gur të Voskopojës

– Mos humb një shëtitje me kalë

– Mos u largo pa shijuar ushqimet bio tradicionale të zonës dhe pijet karakteristike

– Kamping 

Related posts

Ja 7 destinacionet për vitin 2024 që i përshtaten çdo lloj stili udhëtimi!

Mediat e huaja jehonë Linit në Pogradec: Fshati 8500-vjeçar, një thesar i vërtetë!

Transformimi i jashtëzakonshëm i ish-muzeut të Enver Hoxhës! Historia e Piramidës, si i shpëtoi prishjes, sa kushtoi kur u ndërtua (FOTO)