Vllaznia ka nisur punën për edicionin e ri të Abissnet Superiore, por jo vetëm kaq. Trajneri Edi Martini kërkon të nisë menjëherë punën për të sjellë në Shkodër elementët më të mirë pasi pranë janë dhe kualifikueset e Conference League.
Artan Jazxhi është një dëshirë e trajnerit Martini për Vllazninë. Tekniku i kuqebluve i njeh mjaft mirë aftësitë e qendërmbrojtësit, që do të shtonte forcat në repartin ku shfaqet më tepër nevojë. 23-vjeçari ka luajtur gjatë gjithë karrierës së tij te Teuta, ndërsa tashmë mund të firmosë me rivalët e Vllaznisë që do të blindonte mbrojtjen e shkodranëve pas akordit me Arsid Krujën.
Zbulohet se me Krujën pritet vetëm firma nën kontratë për mbrojtësin e krahut të djathtë. Kështu Martini po kujdeset që në skuadrën e tij të ketë elementë me të cilët ka punuar më parë. Jazxhi ka plot 134 ndeshje me ekipin e parë të Teutës. Gjatë kësaj kohe ka shënuar 8 gola dhe ka asistuar 3 të tjerë.
INTERESIMI PER SHERIF KALLAKUN
Vllaznia ka nisur të mendojë që tani për merkaton e verës që po vjen. Klubi shkodran nuk dëshiron një tjetër dështim në Superiore, teksa organika po përgatitet për titullin kampion. Së fundmi bëhet me dije, se Vllaznia po kërkon transferimin e Sherif Kallakut. Sipas mediave lokale në Shkodër, ish-mesfushori i Teutës, Partizanit dhe Tiranës është kontaktuar nga vetë trajneri, Edi Martini. Megjithatë, ende nuk ka një përgjigje përfundimtare. Kujtojmë se mesfushori 27-vjeçar aktualisht aktivizohet ne Sepsi në Rumani. Këtë sezon, Kallaku ka shënuar një gol dhe dhuruar një asist në 30 ndeshje që ka marrë pjesë.
LEXO ME SHUME:Shkëlqeu me Partizanin dhe Tiranën, Edi Martini piketon te Vllaznia mesfushon 27-vjeçar (FOTO)