Vllaznia dhe koha për të fituar, Goce Sedloski: Ndaj Teutës është tjetër histori, Europa është në dorën tonë

Vllaznia – Teuta është ndeshja e Abissnet Superiore për javën e 33-të. Skuadra e Goce Sedloskit është duke kaluar një krizë rezultatesh, ndërsa ka që nga 9 prilli që nuk fiton një ndeshje. E fundit ndaj Erzenit, 3-1. Tanimë duhet jo vetëm fitorja, por ajo që diskutohet është fakti nëse ky takim është i rëndësishëm për Europën, apo jo. Sedloski e ka një përgjigje.

“Na vjen keq të gjithëve për këto humbje që kemi patur si në kampionat, ashtu dhe në Kupën e Shqipërisë. Sepse duhet t’i kishim marrë pikët tona të paktën në kampionat. Në ndeshjen e nesërme duhet të jemi më të guximshëm, më të zgjuar. Duhet të japim gjithçka nga vetja në mënyrë që të marrim një rezultat të mirë për ne”, thotë Sedloski.

Kuqeblutë në ndeshjet e fundit gjithnjë kanë pësuar gol në minutën e fundit. Maqedonasi i pankinës shkodrane tregon se tashmë skuadra ka marrë masat e duhura që të mos ndodhë një gjë të tillë.

“I keni parë dhe vetë që pësojmë gol në çastet e fundit të ndeshjes. A është kjo për shkak të rënies së përqendrimit pikërisht në fund të takimit të lojtarëve, apo diçka tjetër? Duhet ta gjejmë zgjidhje, por që nga nesër nuk duhet të bëjmë gabime të tilla”, deklaron maqedonasi i pankinës shkodrane.

Një problem më vete për Vllazninë është sulmi dhe goli. Sedloski shpreson ta ketë zgjidhur këtë ngërç e skuadra, kjo duke nisur nga ndeshja me Teutën, të dijë të bëjë kthesën e rezultateve duke fituar.

“Duhet të zgjohemi të gjithë. Balaj është në stërvitje ashtu si dhe lojtarët e tjerë. Në këto momente nuk është shumë e rëndësishme se kush e shënon golin, por e rëndësishme është që të marrim pikët”, nënvizon Sedloski.

Në fund dhe një vlerësim për Teutën, aq më tepër që durrsakët drejtohen nga një shkodran si Edi Martini, që e njeh mirë Vllazninë aktuale.

“I kam parë ndeshjet e tyre. Kanë fituar me Tiranën në kampionat 1-2, por janë mundur në Kupën e Shqipërisë, 0-3. Sigurisht që ata kanë qëllimet e veta. Por unë e them dhe një herë se gjithçka varet prej nesh”, ka përfunduar Sedloski. 

Related posts

Teuta e nis sezonin me rinovime, dy titullarët pjesë e skuadrës edhe për një sezon

AF Elbasani gjen menjëherë zëvendësuesin e Nevil Dedes, pritet firma me trajnerin e njohur

Filip Najdovski bën prapakthehu, mbrojtësi hedh firmën mbi kontratë (FOTO)