Spektakël, emocione dhe tension në “Loro Boriçi”! Vllaznia arriti një fitore minimale, por tepër të rëndësishme ndaj Dinamos, me rezultatin 1-0, në një përballje që do të kujtohet jo vetëm për golin e fitores, por edhe për episodin e diskutueshëm të VAR-it. Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe që në minutat e para u duk se skuadrat kishin ardhur për tre pikë. Në minutën e 15-të, kapiteni Bekim Balaj shfrytëzoi në mënyrë perfekte një top të ardhur në zonë dhe me një goditje precize e çoi topin në rrjetë, duke ndezur tribunat shkodrane.
Dinamo reagoi menjëherë, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në kërkim të barazimit. Në minutën e 35′, blutë e kryeqytetit menduan se kishin gjetur golin e 1-1, por ndërhyrja e sistemit VAR e anuloi për pozicion jashtë loje golin e B. Berishës i cili i vetëm para Pohls nuk gabon. .Ky moment pritet të shkaktojë pakënaqësi dhe polemika nga drejtuesit dinamovitë, të cilët protestuan menjëherë pas vendimit.
Në minutat e mbetura, Vllaznia administroi me kujdes rezultatin, duke mbajtur gjallë shpresat për zonën e kreut dhe duke ruajtur epërsinë përballë një Dinamoje që luftoi deri në fund, por pa fat. Vllaznia blindon vendin e parë në kuoptën e 23 pikëve, ndërkohë Dinamo mbetet në vendin e katërt me 18 pikë.