Viti 2021 nis me rritje të yield-eve të bonove të qeverisë

Viti 2021 ka nisur me rritje të yield-eve të bonove të thesarit. Në ankandet e para të vitit, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.85%, nga 1.77% që kishte qenë ky tregues në ankandin e fundit të vitit 2020.

Rritje edhe më të ndjeshme shënuan yield-et e bonove tremujore, që u rritën në 1.09%, nga 0.54% që kishin qenë në ankandin e mëparshëm, të zhvilluar në nëntor 2020.

Në ankandin e bonove 3-mujore Ministria e Financave nuk arriti as të siguronte të gjithë shumën e shpallur për financim prej 1.8 miliardë lekësh dhe shuma totale e shtatë kërkesave të paraqitura në ankand ishte vetëm 1.2 miliardë lekë. Kërkesa më e ulët në tregun financiar për të blerë titujt e borxhit të qeverisë mund të jetë faktori kryesor që shpjegon rritjen e yield-eve në këtë fillim viti.

Interesat e borxhit publik kaluan me sukses edhe momentin e krizës që ekonomia pësoi pas goditjes së papritur të pandemisë së Covid-19 gjatë vitit 2020. Falë injektimit të lartë të likuiditetit nga Banka e Shqipërisë dhe gjendjes së shëndetshme të sektorit bankar, yield-et e titujve të huamarrjes nuk reflektuan rreziqet nga tkurrja e ekonomisë dhe rritja e fortë e borxhit publik.

Nga ana tjetër, eurobondi prej 650 milionë eurosh shërbeu për të mbuluar deficitin buxhetor në pjesën e dytë të vitit, duke ulur nevojën për huamarrje në tregun e brendshëm financiar. Të gjithë këta faktorë ndikuan në ruajtjen e interesave të ulëta të huamarrjes së qeverisë pranë niveleve më të ulëta historike.

Yield-i i instrumenteve të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare shënoi një minimum të ri historik në fund të muajit shtator. Madje, në fund të 9-mujorit yield-i mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm zbriti në nivelin 3.71%, nga 3.75% që kishte qenë në fund të tremujorit të dytë dhe 3.85% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Një korrigjim në rritje i yield-eve të bonove në fillim të këtij viti ishte i pritshëm, edhe për shkak se huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm parashikohet të jetë më e lartë krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2020.

Huamarrja në tregun e brendshëm financiar parashikohet të rritet në tremujorin e parë të këtij viti, në vlerën e 96.7 miliardë lekëve, shumë kjo rreth 23% më e lartë krahasuar me tremujorin e fundit 2020. Buxhetit i vitit 2021 parashikon një deficit buxhetor në vlerën e 108.7 miliardë lekëve, nga të cilat rreth 50 miliardë lekë do të financohen përmes huamarrjes në tregun e brendshëm financiar.

Burimi: BSH

Burimi: MONITOR

Related posts

Mbi 20 persona përfundojnë në spital/ Ja çfarë ndodhi papritur në Bulqizë

E RËNDË! Po lahej në liqenin e Kukësit, humb jetën i moshuari

Luhaten monedhat e huaja/ Këmbimi valutor për ditën e sotme, 6 korrik 2024