Virusi del jashtë kontrollit! Pesë mijë të vdekur shtesë, u dyfishuan gjatë dimrit/ Raporti i INSTAT zbulon se numri real i vdekjeve ishte…

Pas një jave vonesë, Instituti i Statistikave ka bërë publik raportin me të dhënat e popullsisë për 3-mujorin e fundit të 2020-ës, duke vërtetuar kështu të gjitha aludimet e faktet kokëforta që dëshmonin se numri real i vdekjeve, të lidhura direkt ose indirekt me Covid-19, ishte disafish më i lartë se ai i raportuar zyrtarisht.

Viti që lamë pas, shënon bilancin më të zi në historinë prej tri dekadash të INSTAT, me 27 mijë e 605 humbje jete ose 5668 më shumë se viti 2019. Nga ky kontingjent, vetëm 1181 kanë një shkaktar në kartelën e vdekjes, Kovidin. Pjesa tjetër, afro 4500 humbje, cilësohen si vdekje ekstra apo shtesë për shkak se nuk ka një arsye të përcaktuar. Fakt është që çdo vit ka pasur të tilla, por jo në këto përmasa. Në kushtet e pandemisë, ku vdekja nuk ka një diagnozë të qartë, numri ekstra i faturohet asaj.

Përveç trajtimeve në shtëpi, që edhe qeveria e ndërgjegjësuar më së fundi po bën përpjekjet e saj t’i shmangë, personat që humbin jetën pasi janë negativizuar apo të tjerë që vdesin në spitalet e huaja nuk klasifikohen si vdekje Kovid, duke rritur nga ana tjetër numrin e vdekjeve shtesë. Por, më e keqja duket se nuk ka ardhur ende. Ky bilanc i errët i referohet vetëm pikut të parë të pandemisë, në nëntor-dhjetor, ku numëroheshin afro 800 infektime ditore. Tremujori i parë i këtij viti duket më rëndë. Me raste të reja që rrahin diku te 1200 në ditë dhe humbje të mëdha në jetë njerëzish. Nga ana tjetër, me një vaksinim që po ecën me ritme të ngadalta për personelin shëndetësor, pa zbritur ende në popullatë.

RAPORTI

Historikisht, tremujori i parë i vitit ka sjellë më shumë fatalitete, për shkak të sëmundjeve respiratore dhe imunitetit në rënie gjatë dimrit. Por, koronavirusi, si shumëçka tjetër, përmbysi edhe këtë rend. Shifrat më të larta të mortalitetit nuk vihen re në fillimvit, por në fund të tij, në dimër ku, përveç infeksioneve të rënda respiratorë, përkojnë edhe më pikun e parë të pandemisë në vendin tonë, sipas ekspertëve. Me përfundimin e karantinës, në gjashtëmujorin e dytë të vitit, shifrat janë përkeqësuar ndjeshëm duke u bërë gati fatale në tre muajt e fundit të vitit, që shënojnë numrin rekord të humbjeve të jetëve për 2020-ën.

Një krahasim me mesataren e 5- vjeçarit të fundit të fataliteteve, referuar shifrave të Institutit të Statistikave, flet për një rëndim të shifrave në tremujorin e tretë e sidomos atë të fundit. Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë u regjistruan rreth 1600 vdekje më shumë se e njëjta periudhë e 2019-ës, me një rritje prej 32 për qind. Ndërsa në tremujorin e fundit, rritja ishte 73%, ose gati katër mijë jetë më pak se në tetor-dhjetorin e 2019-ës. Që prej vitit 2009, mesatarisht në vend humbjet e jetës janë luhatur mes 21-22 mijë në vit, me kulmet që deri tani ishin arritur në vitin 2015 dhe 2017, që përkojnë me periudha gripale më të rënda.

PASOJAT E COVID NË RRETHE

Shifrat më të larta të mortalitetit janë regjistruar në kryeqytet, por në tremujorin e fundit të vitit, Covid ka goditur rëndë Fierin, Elbasanin, Beratin e Shkodrën. Vlora e Kukësi rezultojnë ndër qarqet më pak të prekura. Sa u takon shifrave të fataliteteve vjetore, rritja më e madhe konstatohet në Lezhë me 34%; Tiranë (32.3%); Elbasan (31%); Shkodër (30.9%); Fier (29%); Durrës (25%). Ndërsa në tremujorin e katërt, kur kulmoi vala e pandemisë, virusi ka qenë më fatal në Fier, ku jetët e humbura tejkaluan 100 përqindëshin në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në të njëjtat shifra luhatet edhe situata në Elbasan (+100.6%), ndjekur nga Berati, Tirana, Shkodra, Lezha, Korça, Kukësi, Durrë- si, Gjirokastra, Dibra dhe më pak në Vlorë me 29.8 për qind. Sipas INSTAT, në tremujorin e katërt 2020, Dibra dhe Kukësi janë dy qarqet e vetme të vendit që shënojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.

Burimi: INSTAT

Related posts

Mbi 20 persona përfundojnë në spital/ Ja çfarë ndodhi papritur në Bulqizë

E RËNDË! Po lahej në liqenin e Kukësit, humb jetën i moshuari

Luhaten monedhat e huaja/ Këmbimi valutor për ditën e sotme, 6 korrik 2024