Vasil Shkurtaj largohet nga Flamurtari. Sulmuesi 33-vjeçar erdhi në Vlorë për të ngjitur në Superiore skuadrën e tij të zemrës dhe me sa duket misioni i tij është mbyllur këtu.
Mësohet se Shkurtaj nuk do të jetë pjesë e organikës së kuqezinjve për sezonin 2025-2026 në elitën e futbollit shqiptar. Vlonjati që e ndihmoi skuadrën me aktivizimin në fushë, por edhe me eksperiencën e tij, duke kontribuar në Kategorinë e Parë, tashmë është zyrtarisht i larguar, edhe pse as vetë lojtari dhe as klubi vlonjat nuk e kanë bërë zyrtare deri tani “divorcin”, që është një fakt i kryer.
Mësohet se Vasil Shkurtaj do ta vijojë karrierën e tij në Qipro dhe ndoshta me shumë mundësi tek Enad Polis, aty ku ka qenë edhe më parë, pikërisht përpara transferimit te Flamurtari. Sulmuesi më parë ka qenë pjesë e kampionatit shqiptar, ku ka luajtur për Luftëtarin, Kukësin dhe Laçin. Kjo ishte hera e parë që aktivizohej te skuadra e qytetit të tij të origjinës, pasi ai është lindur dhe rritur në Greqi.
Shkurtaj erdhi te Flamurtari në janarin e vitit 2024 dhe qëndroi më pas gjithë sezonin e fundit, 2024-2025, duke u larguar me objektivin e plotësuar, ngjitjen e vlonjatëve në Superiore. Vlonjati ka një eksperiencë të gjatë në futboll, në Greqi dhe Portugali. Në gjysmën e sezonit 2023-2024 Shkurtaj arriti të shënojë 7 gola në kampionat me fanellën e Flamurtarit. Ndërsa në sezonin e fundit Shkurtaj u aktivizua në 26 ndeshje në kampionat, pasi kaloi edhe disa dëmtime, ku shënoi 7 gola. Sulmuesi arriti të shënojë edhe 5 gola në Kupë për vlonjatët, të cilët u realizuan në fitoren e thellë, 15-1, ndaj Devollit.