Vangjel Zguro, ka folur me tone optimiste para supersfidës me Skënderbeun, derbi që rikthehet pas 15 vitesh në futbollin shqiptar. Në një prononcim për emisionin “Sport” në RTSH Korça, ai theksoi se objektivi i qartë i liqenorëve është ngjitja në Superiore, ndërsa beson se brenda në Pogradec çdo kundërshtar e ka të pamundur të marrë pikë.
“Synimet e Pogradecit dihen, që jemi për t’u ngjitur një kategori më lartë. Me Laçi, nuk mund të them që ishte një nga ndeshjet tona më të mira. Duheshin pikët, në momentin që kemi shënuar golin, kemi menduar vetëm të marrim pikët jo lojën. Laçin e komplimentoj, ishte një ekip shumë i fortë, do të jetë garë shumë e fortë këtë sezon. Pogradeci, Laçi, Skënderbeu, gjithashtu edhe Besa.
Me Lushnjën bëmë lojë të mirë, por nuk hyri golin. Ishim në presion sepse edhe në Fushë-Krujë dolëm barazim. Na duheshin pikët, duhet pranuar se kishim fatin, por në fund fituam ne.
Disa lojtarë kanë ardhur më shpejt, disa më vonë, nuk është se janë përshtatur 100 % të gjithë. Kanë luajtur në liga jashtë, nuk e njohin kampionatin. Kategoria e Parë është më e ashpër. Nuk ka lojë aktive, po iku ekipi 1 me 0 nuk ka lojë. Të ngjitet më i miri, kush ta meritojë.
Unë fola shumë qartë, Skënderbeu ka kualitete para, unë në Pogradec, edhe ndaj ekipit më të mirë në Shqipëri, vetëm për 3 pikë firmos. Jo në eufori, po me tipin dhe karakterin tim, të vijë ekipi më i mirë në Shqipëri nuk fiton dot në Pogradec. Për mua edhe për atë që është Pogradeci brenda. Shumë ekip fushë, jashtë është pak më ndryshe, por brenda është ekip i ashpër”, deklaroi Zguro për emisionin “Sport” në RTSH Korça.