Turizmi: Pa shpresë për t’u përmirësuar/ Agjencitë e udhëtimit më të prekurat

Në sektorin e turizmit, në këto momente situata është përkeqësuar dhe po aq është zbehur shpresa për përmirësim, kur shtetet kryesore të BE-së nisën kufizimet, u shpreh Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë.

Ai tha se kufizimet apo “lockdown” pjesor në këto vende kanë sjellë mbyllje të aktiviteteve në hotele, bare dhe restorante, duke rritur rrezikun për një tjetër rënie të ekonomisë globale, që pritet të ketë ndikimin edhe në Shqipëri.

Qeveria vendosi masa të reja kufizuese dhe po përgatitet për të tjera. Serioze paraqitet gjendja me punonjësit e industrisë. Më shumë se gjysma e tyre, aktualisht janë pa punë. Z. Topuzi shprehet se referuar shifrave të INSTAT, numri i turistëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri gjatë 9-mujorit është rreth 39% më pak, krahasuar me 2019 (rreth 3% janë udhëtare tranzit).

“Nga ky fluks, kryesisht përfituan strukturat e hotelerisë në bregdet. Problem mbeten strukturat akomoduese në qytetet kryesore. Akomodimi ka qenë rreth 10% për mungesë të lëvizjeve të linjave ajrore, bllokimit të kufijve të BE-së dhe turizmit të biznesit dhe konferencave. Situata paraqitet më keq për bizneset e agjencive, guidave, transport turistik etj, 95% e të cilëve kanë ndërprerë aktivitetin në pamundësi për të paguar qiratë dhe taksat.

Situata është e njëjtë në mjaft vende të BE-së, por për turizmin këto shtete kanë dhënë mbështetjen dhe stimulim maksimal. Sipas Ceoworld.biz, botimi i 5 tetorit 2020, në 10 vendet europiane të varura nga turizmi, Shqipëria vjen e dyta pas Malit të Zi, e përkthyer në shifra ekonomike COVID-19 do të lërë pasoja shkatërruese në rast se qeveritë nuk marrin masa emergjente. Po të analizojmë paketat rajonale, vëmë re se Mali i Zi, miratoi Paketën 3, me vlerë 1,2 mld euro, me 90 mln euro dedikuar vetëm sektorit të turizmit. Maqedonia e Veriut, këto ditë miratoi Paketën 4 të “rimëkëmbjes ekonomike” ku turizmi merr vëmendje maksimale.

Pjesa më e rëndësishme për të dy vendet e rajonit është sigurimi i pagës së punonjësve të industrisë deri në muajin dhjetor 2020. Maqedonia e Veriut vendosi të paguajë bizneset e industrisë rreth 280 dollarë/muaj, plus sigurimet, me kusht që të punësuarit të mos hiqen nga vendi punës. Në rast se xhiroja e subjektit ulet më shumë se 30%, paga do të jetë 415 dollarë/muaj.

Qeveria e Malit të Zi mbulon 70% të pagës minimale dhe 100% taksat dhe sigurimet shoqërore të pagës. Pjesë e rëndësishme te paketat e vendeve të rajonit është kreditimi dhe subvencioni i Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme, deri tek pensionistët e të papunët të paregjistruar. Po ashtu është dhënë kredi shtesë pa kamatë për ndërmarrjet me qarkullim deri në 90 mijë euro, me një periudhë shlyerjeje deri në 3 vjet, për një periudhë gracy (pa pagesë) për 12 muaj, të destinuara për kapital qarkullues.

Kreditë janë pa kamata dhe pa tarifa administrimi, pasi shteti ndërmerr masa për të subvencionuar normën e kamatës së Bankës Zhvillimore. Me këtë masë, Banka Zhvillimore e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të ofrojë normë të kamatës prej 0% bankave tregtare, të cilët për këto linja do të shkojnë në marzhe më të ulëta dhe do të mund të japin norma më të ulëta të kamatës të kredisë për rreth 1,5%.

Për industrinë turistike janë dhënë grante me vlerë 3 mijë deri në 10 mijë euro për të punësuarit, si: agjenci, transportues turistikë, guida, udhërrëfyes turistikë, këngëtarë, bare, restorante, salla dasmash dhe eventesh etj., që për shkak të pandemisë kufizuan punën.

Maqedonia e Veriut hoqi taksën lokale për 2020 dhe u ka kthyer subjekteve të hotelerisë, taksën e fjetjes për vitin 2019, si dhe shpërndau 150 euro bonus për çdo punonjës me pagë nën 250 euro për konsum në hotel dhe restorante. Një nga masat e reja (në dy vendet e rajonit), është ulja e shkallës së TVSh-së për shërbimet në restorante dhe bare me një normë preferenciale të TVSH-së 10% në Maqedoninë e Veriut dhe 7% në Malin e Zi”.

Krahasuar me rajonin, industria e turizmit në Shqipëri, pavarësisht kontributit të madh në ekonomi ka marrë vëmendje periferike nga qeveria, sipas përfaqësuesit të Shoqatës të Hotelerisë. “Garancia Sovrane 1 për pagat dhe Garancia Sovrane 2 nuke ndihmuan këtë industri për kushtet specifike që ka sektori. Garancia Sovrane 1 nuk mundi të zbatohet, pasi për muajt prill, maj, pjesa më e madhe e punonjësve të turizmit ishin larguar nga puna, ose nuk ishin marrë ende, për shkak të nisjes me vonesë të sezonit.

Strukturat e bregdetit zhvilluan turizmin në një sezon rreth 60 ditë, vetëm në periudhën korrik-gusht. Shoqatat Botërore të Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) dhe Bashkimi Europian, që në ditët e para të muajit mars, u kërkuan qeverive të reagojnë në ndihmë të Industrisë Turistike dhe Udhëtimit. Kërkesa kryesore e tyre ishte: të gjitha taksat, detyrimet dhe kërkesat financiare të sektorit të turizmit dhe udhëtimit, duhet të hiqen me efekt të menjëhershëm të paktën për 12 muajt e ardhshëm”.

Me Paketën 2 të dhënies së ndihmës financiare, qeveria parashikonte që për të punësuarit në sektorin e turizmit të përfitohej bonusi 40 mijë lekë për 10 mijë të punësuar. Sipas të dhënave të përditësuara të Ministrisë së Financave, deri më 3 nëntor, Masa 4 e Paketës 2 është shpërndarë për 50% të numrit të përfituesve të pritshëm për 1 mijë biznese. Fondi i shpërndarë është 197 mln lekë.

Goditja e shërbimeve, më të prekurat agjencitë e udhëtimit 

Situata paraqitet e përkeqësuar edhe për agjencitë e udhëtimit, të cilat po vuajnë mungesën e rezervimeve, pas “rigjallërimit” që patën në muajt korrik-gusht. Përfaqësuesja e tur-operatorit dhe agjencisë së udhëtimeve, “Uniontravel”, që operon në treg nga viti 1998, Jetmira Hoxha, thotë se aktualisht kërkesa ka rënë 85%. Arsye e tkurrjes së kërkesës është frika nga infektimi, qytetarët stepen të bëjnë rezervime, veçanërisht në destinacionet e lejuara për të udhëtuar për turizëm, si Turqia (udhëtimet me charter u lejuan nga 15 korriku), Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut. Aktiviteti ekonomik në agjencitë e udhëtimeve pothuajse është i paralizuar, dhe me shtimin e rasteve me koronavirus në vend, prerja e biletave për qëllime pune ka arritur në minimum.

“Masat e marra për COVID-19 nga periudha e karantinës deri në qershor goditën sektorin e turizmit, ndërsa tek agjencitë e udhëtimit, u krijua një situatë pothuajse kolapsi, duke i çuar rezervimet në nivelin më të ulët gjatë këtyre viteve. Situata filloi të rimëkëmbet në muajt e verës kur filluan edhe lëvizjet brenda vendit dhe nga turistët e huaj, që erdhën në momentet e fundit.

Pushuesit u përshtatën me normalitetin e ri dhe rifilluan të rezervonin për udhëtime, sidomos gjatë fundjavës, me paketa në grup dhe individuale për destinacione turistike, si: Lumi i Shalës, Thethi, Valbona, Korça, Gjirokastra, Përmeti dhe vendet të tjera turistike të Shqipërisë. Aktualisht për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vend dhe “lockdown” që po zbatohet në shumë vende të BE-së, qytetarët stepen për të udhëtuar për festat e nëntorit dhe të fundvitit, pavarësisht dëshirës”.

Edhe përfaqësuesit e kësaj industrie thonë se nëse ndodh mbyllja e dytë e ekonomisë, do të krijonte vështirësi të mëdha financiare për agjencitë e udhëtimit. “Shteti duhet t’i japë një ndihmë financiare të veçantë turizmit, pasi gjendja e sektorit është tepër e rënduar. Për agjencitë e udhëtimeve, shteti duhet të reduktojë taksat dhe të japë ndihmë financiare për pagat e të punësuarve”.

Në total, në vend operojnë 950 agjenci udhëtimi, ku 350 prej tyre janë në Tiranë. Agjencitë e udhëtimit qarkullojnë rreth 21 milionë euro në muaj, sipas INSTAT, por xhiro e tyre është e fryrë, pasi prej më se tre vitesh pas kërkesave të reja të standardeve të kontabilitetit, ato raportojnë edhe vlerën e biletës, ndërsa më parë deklaronin vetëm marzhin që ato arkëtonin.

Burimi: Monitor

Related posts

Nuk gjen qetësi Greqia! Goditet sërish nga një tjetër tërmet i fortë, ja ku ishte epiqendra

Mbi 20 persona përfundojnë në spital/ Ja çfarë ndodhi papritur në Bulqizë

E RËNDË! Po lahej në liqenin e Kukësit, humb jetën i moshuari