Tortë akulli me kafe – Receta plot aromë, shije dhe freski!

Një nga momentet më të preferuara për shumicën e njerëzve gjatë ngrënies është momenti i ëmbëlsirës.

Kështu që një ëmbëlsirë e freskët do të ishte zgjidhja ideale, sidomos në këtë kohë ku temperaturat janë ende të larta.

Për të gjithë adhuruesit e kafes receta që ju propozojmë sot do të jetë shumë e dashur.

Torta e ftohtë dhe kremoze me shije kafeje është një mrekulli që mund t’a përgatisni shumë lehtë në shtëpitë tuaja.

Ndaj ndiqni hap pas hapi udhëzimet si më poshtë.

Përbërësit

  • 150 gr biskota
  • 70 gr gjalpë
  • 250 gr kos
  • 100 gr krem djathi
  • 100 ml pana për ëmbëlsira
  • 2 lugë sheqer
  • 1 filxhan kafe e përgatitur
  • 50 gr çokollatë e shkrirë për dekor

Përbërësit

Për realizimin e kësaj recete ju këshillojmë të filloni me përgatitjen e bazës së ëmbëlsirës.

Shkrini gjalpin në një tigan për disa minuta dhe më pas fusni biskotat në një mikser.

Kur biskotat të jenë të thërrmuar plotësisht, shtoni gjalpin e shkrirë duke i përzier derisa të krijohet një masë kompakte.

Shtroni thërrimet e biskotave në një tave rrethore për pjekjen duke i ushtruar presion me anë të duarve.

Do të formohet një shtresë e hollë dhe e ngjeshur me biskota.

Më pas futeni këtë tavë në frigorifer deri në një moment të dytë kur ju duhet t’a përdorni.

Ndërkohë në një enë të thellë, bashkoni kremin e djathit me kosin, kafenë e zier, panën e ëmbëlsirave dhe sheqerin.

Trazojini me kujdes me rrahës elektrik ose me tel kuzhine, derisa kremi të ketë marrë ngjyrën e kafes dhe të jetë formuar një masë e trashë.

Nxirrni tavën me biskotat nga frigoriferi dhe shtroni në të gjithë sipërfaqen edhe kremin e përgatitur.

Shtrojeni kremin me kujdes në mënyrë që të jetë i barabartë nga të gjitha anët.

Ju këshillojmë të shtoni sipër edhe disa copa çokollate të grira ose çokollatë të zezë të shkrirë.

Pasi të keni mbaruar me dekorin futeni në frigorifer dhe lëreni për të paktën 3-4 orë.

Nëse vendosni ta ruani në akull sigurohuni t’a nxirrni ëmbëlsirën në temperaturë ambienti 1 orë para servirjes.

Related posts

Pogaçe e ëmbël – Receta e shijshme që kënaq gjithë familjen!

Akullore me kos dhe fruta – Receta me freski dhe shije perfekte!

Si të përgatisni ujin e freskët me shalqi me plot vlera!