Humbja e fundit ndaj Besës në kampionat nuk është përjetuar mirë te skuadra e Tomorit. Në klubin beratas, shpresat për mbijetesë janë venitur pasi skuadra renditet në vendin e fundit në kuotën e 14 pikëve, 11 distanca larg nga zona e Play-Out-it. Administratori i Tomorit Ismet Ajazi ka folur për Panorama Sport në lidhje me këtë situatë dhe tregon se çfarë do të ndodhë me lojtarët që janë nën kontratë.
FJALËT E ISMET AJAZI-t
NDESHJA– Përkundrejt dëshirave tona si staf drejtues, por edhe të tifozërisë që na ka mbështetur fuqishëm, humbja e fundit me Besën thuajse na ka dhënë përfundimin, që Tomori nuk i shpëton dot rënies në Kategorinë e Dytë.
KAMPIONATI- Kësisoj të ndërgjegjshëm për rënien një kategori më poshtë, kemi vendosur që në 6 javët e mbetura të kampionatit të mbështetemi tek elementi i ri dhe me perspektivë beratas. Kjo do të thotë se po projektojmë skuadrën e ardhshme në Kategorinë e Dytë, ku ka të tjera kushte për aktivizimin e futbollistëve.
FLAMURTARI– Me Flamurtarin, veç pjesës aktuale të skuadrës me futbollistët beratas, do të jenë edhe të rinjtë e talentuar dhe me perspektivë që vijnë nga skuadra U-19 si Fjordi Mesiti, Gledio Kule, Xhejson Lajthia, Theodhor Buda, Sadi Hamzaj. Bëj me dije, se do të respektojmë deri në fund kontratat me futbollistët e huaj dhe ata ‘jabanxhinj’, por në rast se dikush prej tyre do të kërkoj zgjidhjen e kontratës me konsensus, ne do të japim mirëkuptimin tonë të plotë në çdo rast.