Elbasani vazhdon të skanojë tregun për të përforcuar skuadrën në prag të sezonit të ri dhe një nga emrat që ka dalë në skenë është ai i Ardit Tolit, futbollistit që sezonin e kaluar ishte pjesë e Dinamo City.
Burime pranë klubit verdheblu bëjnë me dije se Toli është një nga profilet që është vlerësuar nga stafi teknik dhe drejtuesit, për shkak të eksperiencës dhe fleksibilitetit që ofron në fazën mbrojtëse të mesfushës. Megjithatë, deri tani pista Toli mbetet thjesht një opsion në tavolinë, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme në merkato. Ardit Toli është 27 vjeç dhe ka një karrierë të pasur. I formuar në Greqi dhe i grumbulluar më herët edhe nga kombëtarja U21 e Shqipërisë, ai njihet për fizikun e mirë, leximin e lojës dhe disiplinën taktike.
Në sezonin e fundit me Dinamon, ai ka qenë një nga titullarët e rregullt të skuadrës së drejtuar nga Daja, duke pasur një rol të rëndësishëm në mesin e fushës. Elbasani është në kërkim të një lojtari që mund të stabilizojë balancën mes mbrojtjes dhe mesfushës, një profil, që Toli e përmbush në mënyrë natyrale. Gjithsesi, për momentin gjithçka mbetet në kuadër të vlerësimeve dhe diskutimeve të brendshme në klubin verdheblu, pa një hap konkret drejt afrimit të lojtarit.
Në Elbasan nuk ka më vend për luhatje apo thjesht qëndrime në Superiore. Klubi verdheblu ka vendosur të rrisë ambiciet dhe këtë e ka bërë të qartë presidenti i klubit, i cili në deklaratat e tij të fundit ka pohuar se objektivi i vetëm për sezonin e ri është arritja në Kupat e Europës. Trajneri dhe stafi teknik janë të qartë në kërkesat e tyre dhe kanë mbështetjen e plotë të presidencës për të ndërtuar një skuadër që jo vetëm të përballojë garën e fortë të Superiores, por të jetë pretendent serioz për një nga katër vendet e para që çojnë në Europë.